E konfirmon agjenti i Skriniarit: Interi e nxjerri në shitje, jemi në bisedime me PSG-në dhe disa klube tjera

Agjenti i Milan Skriniar ka konfirmuar se është refuzuar oferta e Interit për rinovim të kontratës.

Roberto Sistici zbuloi se oferta është refuzuar në dhjetor të vitit të kaluar, duke shtuar se “Interi vendosi për ta nxjerrë sllovakun në treg”.

Ai gjithashtu ka konfirmuar se janë në bisedime me Paris Saint-Germainin, si dhe me disa klube tjera jashtë Italisë.

Për Skriniarin kishte oferta edhe në afatin kalimtar të verës, por që u refuzuan nga “Nerazzurrët”.

“E vërteta është se vendimi për të vendosur Milan Skriniar në tregun e transferimeve u mor nga Interi gjatë verës, jo nga lojtari”, tha agjenti Sistici për “Telenord”.

“Ishte një vendim i klubit që çoi në negociata mes Interit dhe PSG-së, për të cilat padyshim që ne ishim të informuar. Në një fazë të caktuar, negociatat u ndërprenë dhe lojtari pranoi pa probleme, duke respektuar kontratën e tij si një profesionist i vërtetë”, shtoi ai.

“Në vjeshtë iu përgjigjëm të gjitha kërkesave të bëra nga klubi dhe pas një sërë takimesh paraprake paraqitëm kërkesën tonë ekonomike. Pas kësaj, në nëntor 2022, Interi paraqiti propozimin e tyre. Rreth një muaj më vonë, para Krishtlindjeve, i thashë Interit vendimin tonë për të mos pranuar atë propozim. E konfirmova atë vendim në janar, para Superkupës, kur gjithashtu informova drejtorët Beppe Marotta dhe Piero Ausilio, se ne e konsideronim veten të lirë për të dëgjuar ofertat nga klubet e tjera”, vazhdoi tutje Sistici, duke shtuar: “Nuk ishte as e nevojshme që ne t’i informonim për këtë, por si unë ashtu edhe lojtari menduam se ishte mënyra e duhur për të vazhduar, me profesionalizëm dhe transparencë. E përsëris, nuk kemi humbur asnjë takim me Interin”.

Agjenti Sistici u pyet nëse janë në bisedime me Paris Saint-Germainin, teksa përgjigja e tij ishte: “Po, por edhe me klube të tjera jashtë Italisë”.

Ndërsa, në pyetjen se nëse ekziston ndonjë shans që Skriniar të bie dakord për të rinovuar kontratën, Sistici tha: “Për momentin jo, kjo nuk është një mundësi. Kushdo që e njeh Milanin do ta kuptojë profesionalizmin dhe drejtësinë e tij, ai gjithmonë do të nderojë fanellën e klubit me të cilin është regjistruar, veçanërisht një klub që i dha kaq shumë”.

Ditëve të fundit është raportuar se reprezentuesi i Sllovakisë ka marrëveshje për t’iu bashkuar PSG-së si futbollist i lirë sezonin e ardhshëm.

Ndërkaq, nuk është përjashtuar as mundësia që Skriniar të transferohet në “Parc des Princes” edhe gjatë afatit të tanishëm dimëror.

Interi mund të detyrohet ta shesë 27-vjeçarin këtë muaj për të përfituar sadopak financiarisht.