E diela mbetet ditë jopune, Gjykata Kushtetuese nuk ka nisur procedurë

Shkup, 1 dhjetor – Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme ka vendosur të mos inicojë procedurë për lëndën në të cilën u kontestua puna të dielën, informoi në konferencë për shtyp zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese, Hristina Bellovska.

Kjo, siç shpjegoi ajo, do të thotë se në rendin ligjor mbetet Ligji i cili rregullon të drejtën e punëtorëve që të mos punojnë të dielën, përveç në veprimtari që janë përjashtime, ndërsa gjithsesi janë paraparë me zgjidhjen e tanishme ligjore.

“Për Gjykatën Kushtetuese janë të pabazuara pretendimet e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, e cila është parashtruese e kësaj nisme dhe e cila ka kërkuar të ndalohet ekzekutimi i këtij ligji. Ky vendim është përfundimtar dhe secili duhet ta respektojë”, theksoi Bellovska.

Gjykata Kushtetuese ka debatuar për këtë rast në seancën që u mbajt më 14 shtator të këtij viti, por vendim nuk është marrë për shkak të shumicës së pamjaftueshme të votave.

Në seancën e sotme të 38-të në rend dite janë caktuar tetë nisma për shqyrtim dhe vlerësim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.