E dëshpëruar nga shteti të cilin po e bën krenar, kjo është thirrja e Donjeta Sadikut

Një medalje e argjendtë nga turneu ndërkombëtar “Balkan” dhe një tjetër e bronztë nga Kampionati Evropian i boksit i erdhën Kosovës brenda një muaji pas gati dy dekadave. Emri që i solli ato me plotë krenari është Donjeta Sadiku.

Boksierja kosovare që po thyen barriera e po shkruan histori thotë për ‘KosovaPress’, se fakti që po i sjellë këto medalje i japin krenari dhe lumturi të papërshkrueshme, por ajo nuk mund ta fsheh faktin që është e zhgënjyer me mospërkrahjen e shtetit.

“Viti 2022 ka qenë një vit shumë i suksesshëm si për mua ashtu edhe për Federatën e Boksit të Kosovës. Kemi arritur t’i sigurojmë dy medalje dhe po ndihem shumë krenare që unë jam arsyeja e këtyre medaljeve. Këto medalje i kemi pritur, mirëpo përkrahja pas këtyre medaljeve nuk ka qenë shumë e madhe nga shteti ynë. Po shpresojmë që pas kësaj medalje evropiane do ta kemi një përkrahje pak më të madhe.”, tha Sadiku.

Kërkesat e Donjetës janë elementare, një sallë që i ofron kushte dhe komoditet për punë e stërvitje. Një fije shprese për këtë asaj i ka ardhur pas takimit me ministrin e sportit, Hajrulla Çeku.

“Për kampe jashtë vendit kam mungesë, po shpresoj që tani që do të ndahet një fond nga ministria për përgatitje jashtë vendit. Po ashtu kemi mungesë edhe në sallë që nuk i plotëson të gjitha kushtet, por po shpresojmë që pas kësaj medalje të na hapen rrugët pak më shumë. Ministri ka premtuar një projekt për mua për 2023/24, pra deri në Olimpiadë, shpresoj që do ta na ndihmojë ky projekt shumë që të kemi paraqitje sa më të mirë në Paris.”,theksoi medalistja evropiane.

Prapa sukseseve të Sadikut qëndron një trajnere tejet e përkushtuar si Marjola Salauka. Ajo tregon se cili është sekreti i sukseseve të Donjeta Sadikut.

“Donjeta ka një vullnet për punë shumë të madh, ka motiv edhe një dëshirë për të arritur suksese. Tërë jetën e saj ka qenë në boks edhe gjithmonë ka synuar për këto medalje. Kemi ndryshuar metodën e punës e cila po rezulton shumë pozitive dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim deri në olimpiadë.”, tha Sallauka.

Mungesën e përkrahjes së shtetit e thekson fuqishëm edhe Sallauka. Ajo thotë se kanë pritur tjetër qasje të shtetit pas medaljes botërore, por për fat të keq, nuk ndryshoi asgjë.

“Iu tregova edhe më herët që është një situatë shumë e vështirë dhe ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Duke u bazuar në përkrahjen që nuk e kemi pasur prej fillimit. Dihet që përkrahja vie pas rezultateve por ne kemi pritur shumë që pas medaljes në kampionatin botëror do të ndryshojnë gjërat dhe do ta kemi një përkrahje më të madhe nga shteti ynë, por që asgjë nuk ka ndryshuar.”, thotë më tutje Sallauka.

Një medaliste botërore dhe evropiane shteti ynë e lë që të stërvitet në një sallë pa kushte elementare. E shtruar vetëm në beton, me pajisje të stërvjetëruara, jashtëzakonisht e ftohtë, me një ngrohëse të vogël, e cila duket e pafuqishme përballë temperaturave të ulëta brenda sallës. Sallauka tregon tutje për ‘KosovaPress’, kushtet në të cilat po punon Donjeta Sadiku.

“Donjeta ka vazhduar me forcat e veta dhe me shpenzimet e saj për të zhvilluar treningun. Unë e kam cekur edhe më herët që Donjeta treningun e zhvillon në tri lokacione të ndryshme, ku dy prej tyre paguan, paguan me shpenzimet e veta. Është shumë e vështirë, duke marrë parasysh që salla nuk po i plotëson kushtet. Donjeta ushtron në një ambient ku është beton që nuk ka as nxemje, kemi rrjedhje edhe është shumë e vështirë për ta zhvilluar treningun këtu, por dëshira e madhe dhe motivi për këto medalje kanë bërë të mundshme….Donjeta ka nevojë për kampe jashtë vendit. Donjetës i mungojnë kampet ku mund të bëjë një trening me kundërshtaret e veta, kjo është mungesa kryesore. Pastaj edhe salla që ta ketë një hapësirë ku i plotëson të githa kushtet do të ishte shumë e mirëseardhur për të. Disa shpenzime që Donjeta i kryen vet sikur lëndimet që i ka që duhet trajtim, tërë kohën duhet të ketë trajtim që të jetë në formën e saj më të mirë.Nëse këto do të ishin të përmbshura, Donjeta nuk kam dyshim se do të sjellë medalje olimpike.”, shtoi trajnerja e Sadikut.

Kushtet mungojnë, por dorëzimi për Sadikun nuk është fare opsion.

“Synimi im kryesor është “Parisi 2024”. Në vitin 2023 më presin gara shumë të rëndësisme, kemi kualifikimin për “Paris 2024”, kurse qëllimi im kryesor mbetet siç e thash edhe më herët medalja olimpike. Po shpresojmë shumë që do t’i sjellim boksit edhe medalje olimpike.”, tha në fund Donjeta Sadiku.

Për të arritur deri në këtë pikë të suksesit, Donjeta thotë se po e motivon përkrahja e familjes dhe e bashkëpunëtorëve të saj si Klubi i Boksit “Dardanët”, trajnerin e kondicionit Lekë Tërmkolli, Federatën e Boksit, kryetarin e saj, Enver Krasniqi, dhe trajneren Marjola Sallauka.