E dërguara speciale e KB-së sot do të takohet me liderët e juntës në Mianmar

E dërguara speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së për Mianmar, Noelin Hajzer pritet të takohet sot me liderët e juntës ushtarake në mes të kaosit politik dhe dhunës në rritje në vend.

Situata në vendin e Azisë Juglindore ka qenë e tensionuar që nga fillimi i vitit të kaluar, kur ushtria përmbysi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, de facto e udhëhequr nga fituesja e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 1991, Aung San Su Ki, dhe filloi një goditje të përgjakshme ndaj protestave paqësore dhe rezistencës së armatosur që pasoi.

Përfaqësuesja e KB-së, Noeline Hajzer, mbërriti dje në kryeqytetin Napjida, ku u prit nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ajo do të takohet me udhëheqësin e juntës Min Aung Klajn dhe ministrat, duke u fokusuar në bisedimet mbi “përkeqësimin e situatës dhe shqetësimet afatshkurtra”, thuhet në kumtesën e KB-së, në të cilën nuk janë dhënë detaje.