“Duhet të jemi të kujdesshëm me zemrën e tij”, Amorim flet për situatën e Eriksen

Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim ka shpjeguar se klubi po tregohet shumë i kujdesshëm me Christian Eriksen pas situatës së tij me zemrën.

Pavarësisht se pritej që të ishte titullar, Eriksen nuk u ftua fare për ndeshjen ndaj Tottenhamit për shkak se ishte sëmurë. 

Me një skuadër të përgjysmuar dhe me tetë lojtarë të akademisë në bankën rezervë, United pësoi humbje me rezultat 1-0 dhe zbriti në pozitën e 15-të në tabelë. 

Pas përfundimit të ndeshjes, Amorim shpjegoi se ata nuk mund të ndërmerrnin ndonjë rrezik për shëndetin e mesfushorit. 

“Eriksen e ka situatën me zemrën dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm me të, por nuk ka të bëjë me zemrën”. 

“Vetëm po them se rrahjet e zemrës duhet të kontrollohen sepse ai ka temperaturë”, ka thënë Amorim. 

Eriksen u rikthye në Ligën Premier tek Brentfordi dhe paraqitjet e tij ishin aq të mira sa e bindën Unitedin ta transferojnë si lojtar të lirë.