Drejtoria e doganave organizon mbledhje pune operative për luftën kundër piraterisë

Shkup, 3 mars – Drejtoria e doganave e Republikës së Maqedonisë së Veriut organizon në Shkup mbledhje pune treditore në kuadër të aktiviteteve përgatitore të operacionit “Balkan Gate2”, organizuar nga Organizata Botërore e Doganave, nën patronazhin e Fondacionit Japonez për Bashkëpunim Doganor (CCF Japan). Në ngjarjen morën pjesë përfaqësues të doganave dhe organeve të tjera hetuese nga nëntë vende evropiane përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Greqinë, Italinë, Kosovën, Maltën dhe Rumaninë, si dhe zyrtarë të lartë nga Organizata Botërore e Doganave, EUROPOL dhe Fondacioni i Doganave japoneze për bashkëpunim doganor.

“Operacioni ‘Balkan Gate 2’ përfshin zbulimin dhe parandalimin e tregtisë së produkteve të falsifikuara dhe piraterisë, duke u fokusuar në të gjitha mallrat që mund të përbëjnë një kërcënim për shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve”, theksohet në kumtesë.

Në mbledhje fjalim ka pasur edhe drejtoresha e Drejtorisë së Doganave, Sllavica Kutirov e cila theksoi se tregtia ilegale me mallra të falsifikuara dhe pirateri shkakton dëme të konsiderueshme, si humbje të të hyrave buxhetore, konkurrencë ilegale dhe rrezikim të shëndetit të qytetarëve në rast të tregtisë ilegale me barna dhe produkte të tjera me cilësi të dyshimtë.

“Ky operacion është i një rëndësie të madhe dhe duhet të ndihmojë organet kompetente hetimore dhe inspektuese për të kuptuar më mirë rreziqet dhe mënyrat e funksionimit të tregtisë së paligjshme e cila në të ardhmen do të ofrojë strategji më të mira për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe menaxhimin e këtyre rreziqeve”, thuhet në kumtesën e Drejtorisë së doganave