Drejtori i burgut të Idrizovës Rexhep Rexhepi pranë shkarkimit!? BDI dhe LSDM presin pas dere

Shkup, 21 qershor – Kuadro të BDI-së dëshirojnë të ulen në ulësen e drejtorit të burgut të Idrizovës, ku për momentin drejtor është Rexhep Rexhepi nga Alternativa. Për këtë funksion kanë shprehur dëshirë edhe anëtarë të LSDM-së. Në këtë burg për momentin, zv.drejtori vjen nga radhët e BDI-së, transmeton Zhurnal nga Sloboden Peçat.

Për momentin asnjëra parti nuk ka qëndrim të saj për rastin në fjalë. Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski deklaroi se do të kërkojë llogari për bastisjen në 25 qelitë në Idrizovë, e ku u gjetën armë, drogë, celularë dhe mjete tjera që nuk lejohen.

Ministri paraljamëroi se nëse gjenden dëshmi, do të kërkohet përgjegjësi penale për fajtorët. Drejtori Rexhep Rexhepi, i emëruar nga Qeveria, vjen nga partia Alternativa dhe ka gjasa që të përgjigjet penalisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për punë të pandërgjegjshme në shërbim dhe për mitmarje.

“Dikush ka lejuar të futen ato armë të ftohta, droga, celularët dhe gjësendet tjera të ndaluara në burg. Përgjegjësi do të ketë sipas gradës, por ta lëmë hetimin të përfundojë”, tha Tupançevksi.

Para tre javëve, në burgun e Idrizovës ishin përfaqësues nga Komiteti për mbrojtje nga tortura dhe veprime jonjerëzore nga Këshilli i Evropës, të ilët porositën të intervenohet në pjesën e menaxhmentit të burgut. Sipas tyre, ka persona që janë emëruar në udhëheqësi, e që nuk i plotësojnë kushtet.

Deri sot, thonë nga MPB, policia nuk ka ngritur padi penale kundër askujt nga “Idrizova”.

Sekret publik është se në “Idrizovë” mbizotërojnë kontrabandimi i drogës dhe korrupsioni. Përmes lidhjeve dhe me para, të burgosurit mund ët blejnë gjithçka, nga teknika e deri te droga dhe armët. Asnjë Qeveri deri tani nuk ka arritur të gjejë zgjidhje për këtë problem./Zhurnal.mk