Drejtorët e doganave të Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Serbisë në takim për “korridoret e gjelbra”

Shkup, 17 mars – “Korridoret e gjelbra” së shpejti do të mund të bëhen realitet në vendkalimet kufitare në mes anëtarëve të CEFTA-s dhe të BE-së, porositën përfaqësuesit e Drejtorive Doganore të Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe të Serbisë në takimin e sotshëm në VK “Tabanovce”, me nismë të Bashkësisë transportuese dhe Sekretariatit të CEFTA-s.

Sllavica Kutirov, drejtore e Drejtorisë Doganore të RMV-së, Konstantinos Murtidis drejtor i Përgjithshëm i Doganës greke dhe u.d zëvendësdrejtor i Doganës serbe Dushko Marinkoviq, biseduan për potencialin e Sistemit elektronik për shkëmbim të të dhënave (SEED) që funksionon në Ballkanin Perëndimor, si sistem kyç për zbatimin e “korridoreve të gjelbra”.

Drejtoria Doganore në kumtesën e saj njofton se SEED dhe SEED+ në praktik nënkupton kryesisht kohë më të shkurt të pritjes në vendkalimet kufitare, kontrolle më të thjeshta, procedura të zvogëluara zyrtare dhe shpenzime më të vogla. Ky takim, informojnë, u ka mundësuar përfaqësueseve të tre drejtorive doganore të bëjnë inspektimin e funksionimit të sistemit SEED, si dhe potencialin e tij të shërben si element kryesor për mbështetje në përcaktimin e prioriteteve të rezervave të caktuara në vendkalimet kufitare në mes Greqisë dhe partnerëve të saj CEFTA.

SEED paraqet përmirësim të menaxhimit me vendkalimet kufitare në Ballkanin Perëndimor, ndërsa në funksion është që nga viti 2010. Versioni i azhurnuar SEED+, në mënyrë shtesë e përmirëson efikasitetin dhe i thjeshtëson procedurat. Dhe ka për rol kryesor në zbatimin e nismës – “Korridore të gjelbra”.