Dortmundi ka refuzuar ofertën prej 125 milionë eurove për Erling Haaland

Borussia Dortmund është e vendosur ta mbajë në radhët e veta sulmuesin Erling Haaland.

Talenti i jashtëzakonshëm norvegjez ka bërë për vete gjitha klubet e mëdha evropiane pas paraqitjeve fantastike me verdhezinjtë.

Por pas shitjes së Jadon Sanchos, Dortmund nuk dëshiron të mbetet edhe pa Haaland për edicionin e ardhshëm.

Ka qenë gazetari i Bein Sports, Tancredi Palmeri që ka raportuar se BVB ka refuzuar një ofertë prej 125 milionë eurove për yllin norvegjez.

Kampioni në fuqi i Evropës, Chelsea ka qenë skuadra që ka bërë këtë ofertë, por që është refuzuar nga Dortmund.

BVB çuditërisht ka refuzuar këtë ofertë, teksa rrezikojnë të mbesin pa norvegjezin sezonin e ardhshëm, kur aktivizohet klauzola e tij e largimit për 75 milionë euro.

Haaland ka numra të jashtëzakonshëm me fanellën e Dortmund, ku në 59 ndeshje zyrtare ka shënuar 57 gola dhe ka dhuruar 15 asistime.

Përveç Chelseat në garë për të janë edhe Bayern Munich, Real Madrid e Juventus.