Do të ketë shportë të vjeshtës dhe pranverës, Qeveria do t’i përgjigjet ekonomisë për Ligjin për praktika të padrejta tregtare
Kryeministri Hristijan Mickoski sot konfirmoi se përgatitet shportë e vjeshtës me prodhimet të cilat qytetarët më së shumti i përdorin, por siç njoftoi, do të ketë edhe shportë të pranverës. Lidhur me Ligjin për praktika të padrejta tregtare, sërish, përmendi se Qeveria do t’i përgjigjet ekonomisë nëse kërkon një periudhë të caktuar përshtatjeje.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas punëtorisë për zgjerim të listës pozitive të barnave, Mickoski theksoi se ngadalë, por sigurt çmimet po stabilizohen, ndërsa rezultat i mirë është edhe shkalla e inflacionit e cila në gusht ishte 2,2 për qind.
“Do të kemi një shportë para Vitit të Ri, një shportë vjeshte në të cilën do të ketë një lloj përzgjedhjeje të produkteve që përdoren më shumë në atë periudhë të vitit, do të kemi një shportë pranvere etj. Varësisht se cilat janë nevojat e qytetarëve, në varësi të asaj që shpenzohet më shumë, ne do të ndjekim procesin dhe nuk do të lejojmë që të përsëritet një normë e lartë inflacioni, e cila do të ndikojë negativisht në standardin e qytetarëve. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që norma e inflacionit në muajin gusht në nivel vjetor është 2.2 për qind krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, që është një rezultat vërtet i mirë, duke marrë parasysh rajonin dhe është ndër të parët në rajon, pra i pari për sa i përket normës së ulët të inflacionit, do të thosha dhe konkurrues në Evropë dhe është më e ulët brenda Eurozonës, gjë që është e mirë. Pra, ngadalë por sigurt çmimet janë stabilizuar dhe dua të them se në periudhën në vijim do të vazhdojmë të kujdesemi për standardin e qytetarëve”, thekson kryeministri.
Ai tha se ende nuk i ka marrë letrat nga Odat në lidhje me Ligjin për Praktikat e Padrejta të Tregtisë.
“Fatkeqësisht, letrat nuk i kam marrë ende. Nga ajo që mund të marr si informacion nga Oda Ekonomike, do të thosha atje ka, një lloj mosmarrëveshjeje mes zinxhirëve tregtarë, tregtarëve dhe prodhuesve. Përndryshe, Ligji është ky. Nëse Oda Ekonomike kërkon zyrtarisht nga ne si Qeveri një javë, dy, tre, pesë, sa javë u duhen për harmonizim, nuk shoh arsye pse kjo të mos ndodhë. Ne punojmë në interes të biznesit, në interes të ekonomisë, në interes të qytetarëve dhe mendoj se deri tani po e bëjmë mirë. Do të shohim se si do të jetë në të ardhmen. Nuk kemi ndërmend të jemi kokëfortë dhe as nuk kemi ndërmend t’i bëjmë gjërat me dhunë. Nëse duhet një pajtim që është pritur me vite, tani edhe për dy, tre, katër javë shtesë, nuk shoh arsye pse të mos ndodhë”, tha Mickoski.