Dje janë vaksinuar 10.984 qytetarë, deri tani gjithsej 519.106 të vaksinuar
Shkup, 5 gusht – Vaksinimi zhvillohet pa ndërprerë në të gjitha pikat e shtetit, ndërsa në vijim është edhe vaksinimi në terren. Në pikat vaksinuese në shtet dhe në terren, duke e përfshirë edhe ditën e djeshme janë vaksinuar gjithsej 519.106 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës dje e kanë marrë 3.905 qytetarë, ndërsa dje gjithsej janë vaksinuar 10.984 qytetarë. Në shtet gjithsej janë aplikuar 932.603 doza vaksina, ndërsa janë rivaksinuar 409.186 qytetarë, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Me shifrat e fundit, siç potencohet, të paktën një dozë vaksinë kanë marrë 65 për qind e popullatës mbi 70 vjeç, 62 për qind e personave mbi moshën 65 vjeçare, 57 për qind e atyre mbi 60 vjet, si dhe 47 për qind e qytetarëve mbi moshën 50 vjeçare.
“Qytetarët po vaksinohen pa termin të caktuar, në pikat ekzistuese të vaksinimit në mbarë shtetin. Procesi i vaksinimit në terren zhvillohet në territorin e të gjithë shtetit, me rotacione të ekipeve mjekësore në çdo fshat, vend rural të populluar, lagje. Ueb faqja vakcinacija.mk, është e hapur për termine për vaksinim të fëmijëve”, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë dhe apelojnë qytetarët të përfshihen në vaksinimin masiv, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë ta mposhtim virusin.