Ditë tragjike në plazhet tona, dy të mbytur në Spille, një në Velipojë
Tre pushues humbën jetën në plazhet e vendit këtë të diele. Dy viktimat e para janë shënuar në bregdetin e Spillesë në Kajavë. Ata janë dy pushues nga Maqedonia e Veriut.
Të moshuarit, përkatësisht 78 dhe 79 vjeç ndonëse nuk dinin not, u futën në det për t’u larë, por për shkak të detit të trazuar, nuk mundën të dilnin dot në breg. Plazhi ishte publik dhe pa roje bregdetare.
Ndërkohë, një tjetër pushues nga Kosova humbi jetën në plazhin e Velipojës. 59-vjeçari Hasan Hysenaj u fut në det për t’u larë, por as ai nuk doli më. Nuk dihet nëse ai ka pësuar ndonjë komplikacion shëndetësor teksa ishte në ujë, apo nëse është mbytur për shkak të detit të trazuar.
Një ngjarje tjetër tragjike u regjistrua edhe disa ditë më parë në plazhin e Gjirit të Lalzit, ku u mbyt 22-vjeçari Arjan Sallahu. I riu ra në det më 17 gusht, ndërsa trupi i tij u gjet 2 ditë më pas.