Dita Ndërkombëtare e Muzeve u shënua me realizimin e punishtes për burimet e ripërtëritshme të energjisë

Shkup, 18 maj – Rihapja e qendrës ekspozuese për energji elektrike “Matka” e cila gjendet në objektin e vjetër të centralit të EVN Elektrana, simbolikisht u shënua me ndërtimin e modeleve të cilat furnizohen me energji nga burimet e ripërtëritshme, të konstruktuara nga anëtarët e asociacionit “Teknika Kombëtare”. Fëmijët dhe të rinjtë, dashamirë të shkencave teknike të cilët poashtu janë pjesë e “Teknikës Kombëtare”, pas vizitës së eksponateve të “Matkës”, së bashku me instruktorët e tyre realizuan punishte për “energjinë e gjelbër” dhe potencialin e saj. U punuan modele të shtëpive dhe qarqeve elektrike të cilat furnizohen me energji elektrike nga fotovoltaikët dhe gjithashtu u mbajt edhe një ligjëratë e shkurtër.

Në qendrën ekspozuese “Matka” ka rreth 30 eksponate të cilat me anë të qasjes interaktive dhe multimediale vizitorëve u mundësojnë të fitojnë njohuri të reja.

Kryetari i Bordit Drejtues të EVN Maqedoni, Shtefan Peter, shprehu kënaqësinë e tij që nxënësit dhe turistët u rikthyen në muze.

“Është gëzim i madh për ne që sërish pas më shumë se dy viteve sfiduese të pandemisë, po e rihapim muzeun e EVN në Matkë për të gjithë vizitorët dhe ju mundësojmë përvojë të përgjithshme edukative dhe argëtuese. Qendra ekspozuese ‘Matka’ është muzeu i parë dhe i vetëm për energji elektrike në vend. Simbolikisht bëjmë rihapjen në ‘Ditën Ndërkombëtare të Muzeve’, ditë që shërben për ndërgjegjësimin ndaj rëndësisë së rolit të muzeve në mësimin jo formal dhe pasurimin kulturor. Përmes eksponateve, vizitorët mësojnë kuptimin e nocionit energji elektrike, si prodhohet dhe mbërrin deri te shtëpitë dhe kompanitë. Ata mësojnë për historinë e energjisë elektrike dhe marrin pjesë në punishte për burime të ripërtëritshme. Në kushte të krizës energjetike, edukimi për efikasitetin energjetik është tejet i rëndësishëm dhe prandaj i ftojmë të gjithë qytetarët e interesuar të çdo grupmoshe ta vizitojnë këtë qendër të veçantë dhe të mësojnë më shumë për këtë temë”, ka thënë Peter.

Qendra ekspozuese për energji elektrike “Matka” u hap në vitin 2017, ndërsa përveç vizitave individuale në vit e vizituan rreth 7000 persona në grupe të organizuara edukative. Numri i vizitorëve u ul në mënyrë drastike gjatë pandemisë, kur qendra poashtu ishte e mbyllur, përveç për vizita të lajmëruara të qëllimshme dhe me respektimin e masave mbrojtëse.

Me qëllim të nxitjes për edukim në shkencat teknike, EVN gjatë hapjes së qendrës ekspozuese “Matka” nënshkroi iniciativë për shfrytëzimin e saj me Byronë për Zhvillim të Arsimit , ndërsa është bërë bashkëpunim edhe me universitetet dhe shkollat e mesme e fillore në vend.

Veç asaj, qendra ekspozuese për energji elektrike “Matka” para katër viteve u bë pjesë e ofertës turistike të Shkupit. Të gjithë përmbajtjet në këtë muze janë në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze, ndërsa qendra është fituese e çmimit “Muzeu i Vitit” të cilin e ndan ICOM (International Council of Museums) – Maqedoni, si dhe e Çmimit Kombëtar për Përgjegjësi Shoqërore të cilin e ndan Ministria e Ekonomisë. Hyrja në qendrën ekspozuese “Matka” është falas.