Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe festohet në Dibër

Dibër, 22 nëntor – Me disa aktivitete në Dibër tradicionalisht është shënuar Dita e Alfabetit të Gjuhës shqipe. Kryetari i komunës Hekuran Duka realizoi takim me drejtuesit e institucioneve arsimore, në të cilin e përcolli vendosmërinë e pushtetit lokal, sigurisht me mbështetjen e pushtetit qëndror, për përmirësimin e kushteve për zhvillimin normal të procesit mësimor.

Duka vendosi lule në monumentin e alfabetit dhe në bustet e rilindësve shqiptarë Said Najdeni dhe Josif Bageri, që ndodhen në qendër të qytetit.

“Kjo është një ditë historike për shqiptarët kudo që janë. Urime për të gjithë debranët këtu, në SHBA dhe në vendet e Evropës Perëndimore dhe kudo në botë. Në këtë ditë, 115 vjet më parë, në Kongresin e Manastirit u unifikua alfabeti i shqipes, me të cilin ne identifikohemi si komb, si popull. Deri më 22 nëntor 1908 populli ynë përdorte alfabete të huaja, greke, arabe, turke. Që atëherë, ne përdorim këtë alfabet, mbi të cilin është shkruar edhe karta e pavarësisë së shtetit shqiptar në vitin 1912. Edhe një herë, urime të sinqerta dhe të përzemërta me rastin e ditës së sotme shumë domethënëse, historike për kombin shqiptar”, uroi Duka.

Së bashku me kryetarin e komunës, homazhe kanë bërë edhe kryetari i këshillit komunal Fuat Spahiu, drejtorët e shkollave fillore komunale të qytetit, këshilltarë, përfaqësues nga sektori i veprimtarive sociale të komunës dhe qytetarë të Dibrës.

Ditën e alfabetit të gjuhës shqipes përmes postimeve në Fejsbuk e kanë uruar edhe kryetarët e komunës së Mavrovës dhe Rostushës, Medat Kurtovski dhe Arijan Ibraimi i Komunës Qendër Zhupë.