Dinakëria kundër zgjerimit të BE-së, çfarë instrumente po përdoren?

Shkup, 15 gusht – Statusi formal i Maqedonisë në procesin e saj të integrimeve evropiane është vend kandidat me proces të hapur negociues pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, më 19 korrik 2022, në Bruksel, edhe pse fillimi specifik i negociatave kërkon që shteti të bëjë ndryshime kushtetuese për futjen e pakicave të reja në preambulën e aktit kushtetues, gjë e cila është vendosur si kusht në kornizën e negociatave.

Periudha deri në përfundimin e të ashtuquajturit skrining-procesi i BE-së për harmonizimin e legjislacionit evropian me atë maqedonas, i cili duhet të fillojë nga shtatori i këtij viti deri në nëntor të vitit 2023. Në analizat “më të shëndosha” të mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë me BE-në, u tha se një nga përfitimet më të mëdha të këtij statusi formal është se i ka tejkaluar kërcënimet dhe pengesat e procesit të integrimeve evropiane me veton të vendeve anëtare, për shkak të së cilës vendi për 17 vite ishte në portat e Bashkimit, ndonëse prej kohësh kishte përmbushur kriteret për fillimin e negociatave, transmeton Zhurnal.

Disa vlerësime të njohësve me procedurat e integrimeve evropiane thonë se pozita fillestare e Maqedonisë në procesin e skriningut është e tillë që harmonizimi i përgjithshëm i vendit tonë me legjislacionin e BE-së, sipas një vlerësimi të përafërt, aktualisht arrin rreth 45 për qind, që është pothuajse në niveli i Malit të Zi dhe Serbisë, të cilët kanë negociuar për një dekadë. Por, vlerësime të tilla, megjithatë, nuk garantojnë përparim të shpejtë të Maqedonisë në integrimet evropiane, ndërsa në vetë Bashkimin Evropian nuk ka disponim për përmirësim në mënyrën e marrjes së vendimeve për zgjerim me konsensus, gjë që edhe në çështje të tjera e problematizon funksionimin e BE-së.

Aq më tepër që Maqedonia vazhdon të ketë (para)kushte politike për të përmbushur, siç është kërkesa e Bullgarisë, para fillimit të fazës së përmbushjes së kritereve demokratike të vendosura në 33 kapituj të negociatave, të grupuara në gjashtë klastere.

  • Nga konkluzionet e Këshillit (të BE-së) dhe nga deklaratat e liderëve politikë të BE-së është mjaft e qartë se negociatat nuk do të mund të vazhdojnë nëse nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese. Është barrë e madhe për shoqërinë tonë dhe sfidë e madhe politike – vlerëson këshilltari shtetëror për politika evropiane në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Dragan Tilev.

Për sa kohë që shtetet anëtare të Unionit kanë të drejtën e vetos për pranimin e anëtarëve të rinj, zgjerimi do të bllokohet.

Në fund të fundit, Maqedonia do të duhet të provojë metodologjinë e re të negociatave me parimin e kthyeshmërisë, me të cilën asnjë kapitull apo grup nuk mbyllet deri në përfundimin e gjithë procesit negociator.

Me gjithë kompleksitetin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në BE, pyetja kryesore është nëse Unioni është me të vërtetë në disponim për zgjerim apo thjesht po mashtron kandidatët (dhe veten) duke pretenduar se është bashkëpunues dhe parimor, duke e lënë procesin peng i procedurave në të cilat ato shtete anëtare u lejohet veto.

Michael Martens, një nga ekspertët më të mirë gjermanë për Evropën Juglindore, Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e BE-së, beson se përderisa vendet anëtare të Bashkimit kanë të drejtën e vetos për pranimin e anëtarëve të rinj, zgjerimi do të bllokohet.

– Emmanuel Macron e thoshte shpesh këtë, dhe Olaf Scholz po bën të njëjtën gjë tani – pa një reformë të parimit të unanimitetit në BE, anëtarët e rinj nuk do të mund të anëtarësohen. Nga ana tjetër, ndërsa udhëheqës si Jaroslaw Kaczynski apo Viktor Orbán duan të pranojnë (disa) anëtarë të rinj, heqja e vetos do të jetë e vështirë. Kaczynski nuk dëshiron të heqë dorë nga e drejta e vetos polake për hir të Ukrainës, as Viktor Orban, i cili dëshiron fort që Serbia të bëhet anëtare e BE-së. Po të bëhej fjalë vetëm për këtë apo atë politikan, gjërat nuk do të ishin aq serioze, sepse do të vijnë liderë të rinj. Por… konflikti nëse parimi i unanimitetit në BE duhet të reformohet (shfuqizohet) apo të ruhet, ka të bëjë me interesat thelbësore të Parisit, Berlinit, Varshavës, Budapestit dhe vendeve të tjera anëtare. Nuk mund të parashikohet që interesat thelbësore të vendeve anëtare të BE-së për çështjen e votimit unanimisht do të ndryshojnë në thelb vetëm për shkak të ardhjes së politikanëve të rinj në pushtet. Konstelacioni bazë i marrëdhënieve mbetet i njëjtë – analizon Michael Martens, transmeton Zhurnal.

A duhet kërkuar menjëherë alternativa?!

Në një nga analizat e tij, Martens shtron pyetjen e dhimbshme, mbi të gjitha për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Sipas tij, dilema tani është nëse të gënjehet se përderisa ekziston e drejta e vetos do të ketë zgjerim apo duhet menjëherë të kërkojmë alternativa.

  • Duke marrë parasysh këto rrethana, a ka kuptim të pretendohet se zgjerimi i BE-së, përkatësisht përfshirja e anëtarëve të rinj të plotë me të drejtë vetoje, është real? Ose ndoshta është koha për të diskutuar alternativat për anëtarësimin e plotë të Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës – pyet Michael Martens.

Ajo që e bën thuajse të pamundur heqjen e të drejtës së vetos të vendeve anëtare të BE-së, pra parimit të konsensusit në vendimmarrje, sipas strukturës aktuale të Unionit, është se heqja e saj kërkon edhe konsensus. Duket se Maqedonia me hapjen e negociatave sapo ka hyrë në një proces që duket si “lojëra pa kufij”, por me shumë pengesa dhe provokatorë në rrugë, pa garanci se do të arrijë në fund të lojës.//Zhurnal.mk