Dimovski: Ndërprerje të komunikacionit hekurudhor nëse nuk paguhen shpenzimet materiale për muajin shkurt

Shkup, 15 mars – Komunikacioni hekurudhor i njerëzve dhe mallrave do të ndërpritet sërish në orën 15:00 për shkak të bojkotit të personelit ekzekutiv dhe të makinerive në Hekurudhat e RMV Transport nëse nuk paguhen shpenzimet materiale për muajin shkurt, njoftoi Toni Dimovski, përfaqësues i personelit ekzekutiv dhe makinerik dhe kryetar i Sindikatës së drejtuesve të trenave të Maqedonisë.
Për shkak të shpenzimeve materiale të papaguara personeli ekzekutiv dhe i makinerive disa orë e bllokoi punën edhe të premten e javës së kaluar, por bojkoti ishte ndërprerë pas premtimit që e morën nga udhëheqësia për plotësimin e kërkesave të parashtruara.
Dimovski për MIA-n deklaroi se ende nuk u është paguar edhe pjesa e parë e pagës për muajin shkurt, për të cilën afati është sot. Pritet çështja e hekurudhave të RMV-së sërish të hapet sot në seancën e Qeverisë, ndërsa nga rrjedha e mbledhjes, thotë Dimovski, do të varet realizimi i bojkotit.
Ai përsëriti se hyjnë në bojkot sipas vendimit që e dorëzuan te udhëheqësia në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa sipas së cilës, nëse deri në datën 10-të të këtij muaji nuk u paguhen shpenzimet materiale për muajin paraprak, do ta ndërpresin punën në ditën e ardhshme. Gjithashtu, sipas vendimit, nëse deri në datën 25 të muajit rrjedhës nuk u paguhet paga e plotë për muajin paraprak, ditën e ardhshme do të dalin në bojkot.
Sipas Dimovskit, me bojkotin do të përfshihen trenat udhëtues sipas itinerarit të planifikuar pas orës 15:00 në relacionet Shkup-Tabanocë dhe anasjelltas (16:25), Shkup-Gjevgjeli (16:55) dhe Shkup-Veles (22:40), si dhe qarkullimet e tre trenave transportues të planifikuara.