Dimitrievski: Vitin e ardhshëm do të kemi qeveri të re dhe do të hapet hetim për “Bechtel dhe Enka”

Shkup, 29 maj – Kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, sonte në emisionin “24 Analiza” në televizionin 24 lidhur me ligjet për “Bechtel dhe Enka”, theksoi se është më se i sigurt se i njëjti projekt do të jetë objekt i një hetim, dhe tashmë vitin e ardhshëm do të ketë një qeveri të re dhe do të jetë e pashmangshme të mos bëhet një hetim.

“Ky projekt do të bëjë patjetër grumbuj parash që do të përfundojnë në xhepat privatë. Koha do ta tregojë, unë jam më se i sigurt për këtë. Një projekt jashtëzakonisht korruptiv i cili fatkeqësisht vuri në një situatë të pakëndshme shumë kompani eminente, por edhe shumë diplomatë. Jam më se i sigurt se ky projekt do të jetë objekt hetimi, ndoshta jo në momentin që kjo mazhorancë parlamentare është në pushtet, gjërat do të ndryshojnë shumë shpejt në të ardhmen.

Tashmë vitin e ardhshëm do të kemi një qeveri të re dhe do të jetë e pashmangshme që të bëhet një hetim. Ajo që më shqetëson më shumë është njeriu të cilit personalisht dikur i kam dhënë mbështetje, zotit Pendarovski, i cili është presidenti ynë, i imi, i juaji dhe ne të gjithëve. Ai kishte një shans historik për ta ndalur këtë të paktën për një moment dhe të mos nënshkruante ligjet, por nuk e bëri.

Unë personalisht prisja që ai të paktën të guxonte në këtë pikë, por është e dukshme që po luan nën diktim. Dhe është fakt se kjo marrëveshje është e dëmshme për vendin, sepse e shndërron Maqedoninë nga gjysmë e varur financiarisht për disa vite në plotësisht të varur financiarisht”, tha Dimitrievski, përcjell FLAKA.