Dhëndri rrëmbehet nga ‘alienët jeshilë’ gjatë natës së beqarisë në Budapest

Një dhëndër ‘në pritje’ është zhdukur për 15 orë teksa festonte në natën e beqarisë para dasmës së tij në kryeqytetin hungarez Budapest, teksa pretendon se është rrëmbyer nga alienë të vegjël jeshilë, që më pas e lanë në një zonë pyjore.

Zhdukja e pazakontë e të riut për 15 orë gjatë festës në Budapest, shkaktoi një kërkim të panikosur në të gjithë kryeqytetin, shkruan rrjeti britanik DailyStar.

Matt Mavir, kreu i grupit britanik organizues të festave të beqarisë ‘Last Night of Freedom’, tha: “Ne kishim dëgjuar për episode të tilla të dyshimta në Evropën Lindore, por kjo që na ndodhi ishte e pabesueshme”.

“Ky djalë kishte dalë për pak ajër gjatë festës dhe shokët e tij nisën të shqetësoheshin. Më pas disa orë kaluan dhe ai nuk mund të kontaktohej”.

“Vetëm pas 15 orësh ata na njoftuan se e kishin gjetur të shtrirë në një zonë me bimësi, teksa belbëzonte për alienë dhe për UFO”.

“Me sa duket këto krijesa me sy të mëdhenj të zinj e kishin ngritur nga toka dhe i kishin bërë disa xhiro në qiell”.

“Ndoshta mund t’i ketë thënë këto dhe prej pijes, por të paktën është një histori e bukur për t’u mbajtur mend nga festa e ti e beqarisë”.

Kompania me bazë në Tyneside, Britani ka pasur disa kërkesa të pazakonta apo paranormale nga klientët, duke përfshirë dhe një për festë beqarie në vendin e njohur të UFO-ve, Roswell në New Mexico, SHBA.

“Dhëndri ishte një gjuetar entuziast i UFO-ve dhe na kërkoi të shkonim në Roswell.

“Për fat të keq nuk e realizonim dot se bazat sekrete ushtarake nuk pranojnë mbrëmje beqarie”.

“Mund të organizojmë çdo lloj feste – mundje në baltë, të qëllosh me Kalashnikov ose të arrestohesh nga policia – por për fat të keq nuk organizojmë dot rrëmbim nga alienët.”