Der Leyen në vizitë te ministri i jashtëm Bujar Osmani
Shkup, 14 korrik – Ministri i jashtëm, Bujar Osmani mirëpriti në takim kryetaren e KE-së, der Leyen. Ajo sot para se të mbajë fjalim para deputetëve në Kuvend, ka takuar Osmanin, do të takojë Pendarovskin dhe Kovaçevksin, informon Zhurnal.
Siç shprehet ministri Osmani, kjo vizitë vjen në kohën e duhur, pikërisht para përfundimit të procesit të konsultimeve të gjëra rreth propozimit të fundit nga Presidenca franceze në Këshillin e BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
“E vlerësojmë fjalimin e sotëm të Kryetares së KE-së, drejtuar deputetëve, në të cilin presim kontribut të rëndësishëm në procesin konsultativ dhe mbështetje për vazhdimin e integrimit tonë evropian. Kjo është hera e dytë në historinë tonë që Presidentja e Komisionit Evropian t’i drejtohet Kuvendit tonë. Herën e parë, Romano Prodi, në fillimet e rrugës sonë eurointegruese, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, dhe tani në fillimin e negociatave, si fazë përfundimtare përpara anëtarësimit tonë të plotë në Union.
Komisioni Evropian gjithmonë ka qenë një partner i dëshmuar në rrugën e procesit tonë eurointegrues, duke i analizuar në mënyrë strikte dhe objektive situatën dhe progresin e arritur, të pasqyruar në Raportet për progresin e shtetit. Këtë mbështetje e presim edhe në të ardhmen, gjatë gjithë procesit të negociatave të anëtarësimit” është shprehur Osmani./Zhurnal.mk


