Deputetët Izet Mexhiti, Merita Koxhaxhiku dhe Kastriot Rexhepi inicuan heqjen e përkufizimit 20 % për përdorimin e gjuhës shqipe

Shkup, 23 maj – Deputetët Izet Mexhiti, Merita Koxhaxhiku dhe Kastriot Rexhepi njoftojnë se në Komisionin për ndryshimet Kushtetuese në Ministrinë e Drejtësisë kanë dorëzuar iniciativë për ndryshime kushtetuese sa i përket çështjes bullgare por edhe për heqjen e përkufizimit 20 për qind sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe. Propozimi u dorëzua nga përfaqësues të Forumit Rinor të BDI-së që janë pjesë e fraksionit.

“Me këtë nismë edhe njëherë riafirmojmë qëndrimin tonë se jemi pro ndryshimeve kushtetuese sa i përket çështjes bullgare dhe rrjedhimisht qëndrojmë fuqishëm në rrugën evropiane. Por njëkohësisht vlerësojmë se është momenti politik që përkufizimi 20 % për gjuhën shqipe të hiqet nga Kushtetuta sepse fundja Kushtetuta nuk hapet çdo ditë dhe tani e kemi rastin njëkohësisht zbatimin e gjuhës shqipe ta vëmë në vendin e merituar”, tha Jetmir Asani, Forumi Rinor, fraksioni në BDI.