Deputetët do të debatojnë për ndryshimet e Ligjit për pagën minimale
Shkup, 23 shkurt – Në Kuvend sot duhet të vazhdojë debati për Propozim-ndryshimet e Ligjit për pagën minimale. Kjo është dita e tretë e debatit në Kuvend.
Me këtë zgjidhje ligjore, paga minimale prej marsit duhet të rritet në 18.000 denarë nga ato 15.200 sa ishte deri tani. Pritjet janë se do të përfshihen rreth 80.000 punëtorë, të cilët që në prill do të marrin pagë të rritur minimale. Rritja e pagës minimale do të ndihmohet nga ana e shtetit, i cili nga Buxheti do të ndajë 16 milionë euro për mbulimin e dallimit në kontributet.
Zgjidhja ligjore vijoi pasi më 7 shkurt, pas disa mbledhjeve të Këshillit Ekonomik dhe Social, është arritur marrëveshje mes sindikatave, punëdhënësve dhe Qeverisë. Sindikatat kërkuan rritje urgjente të pagës minimale për shkak të harxhimeve më të larta për jetesë dhe faktit se dy paga minimale janë pak që të mbulohen nevojat themelore që llogariten në shportën sindikale të konsumatorëve.
Me ndryshimet ndryshon edhe metodologjia për harmonizimin vjetor të pagës minimale, gjegjësisht rregullimi do të bëhet me 50 për qind të rritjes vjetore të pagës mesatare dhe 50 për qind të kostos së jetesës, ndërsa shuma e pagës minimale nuk guxon të jetë më e ulët se 57 për qind e pagës mesatare.
Propozim-ndryshimet janë në rend të ditës së seancës së 62-të, ndërsa paraprakisht kaluan në Komisionin amë për punë dhe politikë sociale.
Në rend të ditës së kësaj seance mbeten edhe ndryshimet e Ligjit për duhan, Propozim-ligjit për rregullimin e statusit të objekteve të ndërtuara pa leje, Propozim-ligji për mbikëqyrje inspektuese të ambientit jetësor dhe Propozim-ligjit për punë kontabiliste. Pjesë e seancës plenare është edhe Propozim deklarata për luftë kundër korrupsionit, si dokument strategjik i shtetit dhe politikave shtetërore.