Departamenti i shtetit amerikan: Marrëveshja për programin bërthamor të Iranit është e mundur pa kushte shtesë

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Prajs tha se e vetmja mënyrë për të arritur një kompromis për rinovimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin është që Teherani të heqë kërkesat shtesë.

Sipas tij, SHBA do t’i përcjellë menjëherë Bashkimit Evropian pikëpamjet e veta për draftin përfundimtar të marrëveshjes për rinovimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 përmes përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Zhozep Borrell.

Më herët ishte bërë e ditur nga Teherani se Irani është i gatshëm të pranojë tekstin përfundimtar të propozuar në Vjenë për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore iraniane të vitit 2015, por me kusht që të ketë garanci të caktuara.

Sipas marrëveshjes bërthamore të Iranit të vitit 2015, Teheranit iu ofrua heqja e disa prej sanksioneve që po mbytin ekonominë e Iranit, në këmbim të një reduktimi drastik të programit të tij bërthamor të vendosur nën kontrollin e rreptë të KB-së.

Megjithatë, SHBA u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja në vitin 2018 nën presidencën e Donald Trampit dhe ktheu në fuqi masat ndëshkuese. Si përgjigje, Irani është tërhequr gradualisht nga angazhimet e tij.

Marrëveshja për programin bërthamor të Iranit, e quajtur zyrtarisht “Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit”, u nënshkrua në Vjenë në korrik të vitit 2015 nga Irani dhe grupi “5 plus 1” i përbërë nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të KB-së (Kina, Franca, Rusia, Britania e Madhe, SHBA) dhe Gjermania, si nënshkruese në emër të BE-së.