Departamenti amerikan i shtetit: Vrasja e Al-Zavaharit mund të shkaktojë valë të dhunës mbi objektivat amerikane

Vrasja e liderit të Al-Kaedës, Ajman al-Zavahiri, mund t’i shtyjë ndjekësit e grupit terrorist të nisin sulme ndaj objekteve ose qytetarëve amerikanë, ka paralajmëruar Departamenti amerikan i Shtetit.

“Pas vdekjes së al-Zavahirit, pasuesit e al-Kaedës ose organizatave terroriste të lidhura me të mund të përpiqen të sulmojnë objektet, zyrtarët ose qytetarët amerikanë. Ministria e Punëve të Jashtme beson se ka një potencial më të madh për dhunë anti-amerikane në dritën e vdekjes së Ajman al-Zavahirit më 31 korrik 2022”, citohet në kumtesën e rregullt  të Departamentit të shtetit amerikan.

Egjiptiani Ajman al-Zavahiri u vra në një sulm me dron të dielën në mëngjes në Kabul, Afganistan, goditja më e madhe për grupin militant që nga vrasja e themeluesit të tij Osama bin Laden në  vitin 2011.

“Drejtësia është vënë në vend dhe ky lider terrorist është zhdukur…Afganistani nuk do të jetë më kurrë një strehë për terroristët”, tha presidenti amerikan Xho Bajden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.

Al-Zavahiri ishte ideologu kryesor i atij rrjeti terrorist global për disa dekada, por ai kurrë nuk e rifitoi statusin që kishte al-Kaeda nën udhëheqjen e Osama bin Ladenit. Okulisti egjiptian luajti një rol kyç në sulmet e vitit 1998 ndaj ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani, si dhe në sulmin kryesor në SHBA më 11 shtator 2001, ku humbën jetën rreth tre mijë njerëz.