Dendias nesër për vizitë zyrtare në vend

Shkup, 30 gusht – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani nesër në Shkup do të jetë nikoqir i homologut të tij nga Greqia, Nikos Dendias i cili vjen për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Siç ka informuar MPJ, vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, vjen në periudhë të rëndësishme kur rrethanat në rajon dhe krizat globale kërkojnë koordinim dhe veprim të përbashkët midis dy vendeve fqinje, me çka konfirmohet dhe avancohet partneriteti strategjik.

Është paraparë që ministrat të diskutojnë për marrëdhëniet bilaterale, në këtë kontekst avancimi në zhvillimin e partneritetit strategjik, ngjarjet në rajon, veçanërisht në aspekt të proceseve të tija integruese, si dhe në ngjarjet tjera nëpër botë, veçanërisht duke iu referuar angazhimeve të fundit në luftën kundër pandemisë dhe situatën në Afganistan.

Në pjesën e bashkëpunimit bilateral, siç theksohet në kumtesë, fokusi pritet të vendoset në dinamikën intensive në takimet në nivel më të lartë, avancimin e bashkëpunimit bilateral dhe gjendjen kontraktuale, e cila pason me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Do të bisedohet, informojnë në MPJ edhe për aktivitetet e zbatuara në përputhje e Marrëveshjen, si nga ana e Maqedonisë së Veriut ashtu edhe nga ana e Greqisë.

Përveç me ministrin Osmani, Dendias do të realizojë takim edhe me përfaqësuesit më të lartë të vendit, shefin e shtetit Stevo Pendarovski, kryeministrin Zoran Zaev, zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov si dhe kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi.

Pas takimit Osmani- Dendias janë paraparë deklarata për media.