Demonstruesit e shkatërruan selinë e misionit të KB-së në Kongo

Demonstrues sot e dëmtuan selinë e misionit të Kombeve të Bashkuara (KB) në Republikën Demokratike të Kongos, pas thirrjeve nga personat zyrtarë për demonstrata kundër misionit, lajmëroi DPA.

Personat hynë me dhunë në objektin në qytetin Goma dhe shkatërruan dhe vodhën mobilje, pohojnë dëshmitarë okularë për DPA-në.

Forcat e sigurisë reaguan me gaz lotsjellës dhe të shtëna. Policia në provincën Kivu verior për agjencinë gjermane të lajmeve deklaroi se sulmuesit janë kriminelë, të cilët i shfrytëzuan demonstratat për qëllime të veta.

Organizata qytetare dhe nga partia e presidentit Feliks Tshisekedi bënë thirrje për demonstrata në Goma, pasi që kryetari i Senatit, Modeste Bahati, nga mesi i korrikut, kërkoi që misioni i KB-së, MONUSKO (MONUSCO) ta braktisë Kongon.

MONUSKO është stacionuar në pjesën veri-lindore të Kongos mbi 20 vite. Sipas SHBA-së, nevojitet për të ndihmuar në luftën kundër rreth 130 grupe të ndryshme të armatosura, aktive në vendin qendror afrikan.

Një pjesë e madhe e tyre dëshirojnë t’i kontrollojnë resurset e vlefshme minerale të vendit, siç janë bakri, kobalti, ari, diamantet.