Demarshi i ambasadorit bullgar do të bëhet nga drejtori i Drejtorisë përgjegjëse për rajonin, jo nga ministri Mucunski

Shkup, 16 shtator – Nota protestuese e ambasadorit bullgar në vend Zheljasko Radukov, për shkak të fotografimit të presidentëve Rumen Radev dhe Gordana Siljanovska para flamurit bullgar në takimin e pardjeshëm në Sofje, do t’i dorëzohet sot nga drejtori i Drejtorisë përgjegjëse për rajonin, e jo nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mutsunski, thonë burime nga MPJ-ja.

Sipas burimeve të njejta, për këtë ngjarje nuk është reaguar drejtëpërdrejtë në takimin në Sofje, pasi, thonë, ekzistojnë protokolle për të reaguar për këtë lloj situate.

Ata thonë se para takimit të krerëve të shteteve ishte vendosur qartë protokolli dhe pyetja për të cilën MPJ-ja do të kërkojë përgjigje është se pse pala bullgare ka devijuar nga protokolli i vendosur më parë. Burimet shtojnë se flamuri i Maqedonisë është ekspozuar në drekën e punës që i parapriu takimit të presidentes Siljanovska Davkova me presidentin bullgar Radev në Sofje.

Burimet e MPJ-së thonë se megjithatë është konstruktive që u mbajt një takim mes presidentëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ata gjithashtu shtojnë se në drekën e punës nuk është hapur çështja e propozimit të shtetit për ndryshime kushtetuese me veprim të vonuar. Ata thonë se do të diskutohet pasi të zgjidhet qeveria politike në Bullgari.

Më herët sot, kryeministri Hristijan Mickoski tha se se do t’i jepet notë proteste ambasadorit bullgar në vend, duke theksuar se si vend jemi çdoherë të gatshëm t’i kthejmë me dashamirësi marrëdhëniet e mira fqinjësore, por kur të shohim se kalohen vijat e kuqe, atëherë do të duhet të ndërhyjmë.

“Në të kaluarën kur po poshtërohej dhe shitej dinjiteti i Maqedonisë, atëherë ata heshtën, kthyen kurrizin dhe pajtoheshin me ata që na poshtëruan dhe na shkelën. Tani gjërat janë zgjidhur në këtë mënyrë, me diplomaci, dërgohen nota proteste dhe nuk do të kemi më as politikë ndërkombëtare, as politikë diplomatike me shpinë të kthyer. Atëherë kur kalohet rubikoni, kur kalohet vija e kuqe, atëherë duhet reaguar. Sepse nëse nuk reagoni, ai përjashtim do të bëhet praktikë”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para takimit me përfaqësuesit e AHK-së për Maqedoninë e Veriut, pjesë e rrjetit të Odave gjermane jashtë vendit dhe Shoqatës Ekonomike Maqedoni-Gjermani.

Siç theksoi ai, delegacioni i Maqedonisë së Veriut nuk ka reaguar menjëherë për mosvendosjen e flamurit kombëtar në shenjë respekti për dy pilotët, të cilët humbën jetën në një aksident me aeroplan në të njëjtën ditë.

Nga Kabineti i presidentes Siljanovska – Davkova dje paralajmëruan se do të kërkojnë shpjegim për fotografinë para flamurit bullgar të bërë në kabinetin e presidentit të Bullgarisë, por, siç theksojnë nga atje, një veprim dhe akt i tillë nuk ishte paraparë e as dakorduar.

“Ajo që i hodhi hije ngjarjes ishte devijimi nga protokolli i rënë dakord për takimin, sipas të cilit nuk duhej të ketë fotografi brenda hapësirës së mbyllur. Por, për fat të keq, para fillimit të takimit tet-a-tet, presidenti Radev e ftoi presidenten të bëjnë një fotografi të përbashkët para flamurit bullgar, ndonëse një lëvizje dhe akt i tillë nuk ishte paraparë apo dakorduar. Duam të besojmë se bëhet fjalë për një mosvënie re protokollare, e jo për një procedurë dhe devijim të qëllimshëm nga ajo e dakorduar dhe se nesër do të kërkojmë shpjegim nga pala bullgare”, theksuan nga kabineti i presidentes Siljanovska Davkova.

LSDM-ja opozitare edhe dje reagoi për vizitën në Sofje, duke akuzuar se presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dhe VMRO-DPMNE-ja po kërcënojnë identitetin e Maqedonisë së Veriut dhe rëndësinë e saj. VMRO-DPMNE, në reagimin e konferencës për media të LSDM-së deklaroi se “nuk nevojiten leksione nga një parti e cila kur ishte në pushtet e çoi vendin në kriza të panumërta diplomatike dhe poshtërime ndërkombëtare”.

Takimi i Radevit dhe Siljanovska Davkovës ishte pjesë e aktiviteteve të presidentes së Maqedonisë së Veriut gjatë vizitës së saj në Sofje me rastin e shfaqjes së Operës së Maqedonisë në Sofje me “Nabuko”, si hap i diplomacisë kulturore. Në delegacionin e Maqedonisë së Veriut ishte dhe ministri i Punëve dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski dhe ministri i Kulturës Zoran Lutkov.

Ambasadori i sapoemëruar i Bullgarisë Zheljasko Radukov ia dorëzoi letrat kredenciale presidentes Siljanovska Davkova më 10 shtator, duke e zëvendësuar ambasadorin e mëparshëm Angell Angellov.