Delegacion nga Ministria e Mbrojtjes për vizitë në SHBA

Shkup, 12 mars – Sekretari shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes, Dragan Nikoliq, së bashku me një delegacion nga Ministria dhe Armata e Republikës së Maqedonisë Veriore po qëndron për vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë vizitës, siç njofton Ministria e Mbrojtjes, sekretari shtetëror Nikoliq u takua me gjeneralin e brigadës Garik Harmon, komandant i Komandës së ndihmës për sigurinë e Armatës së SHBA, e cila është përgjegjëse për mbështetjen e huaj dhe programet e ngritjes së kapaciteteve.

“Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut po modernizohet me shpejtësi dhe ne jemi duke e realizuar një pjesë të këtij modernizimi me mbështetje serioze amerikane. Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja si partnerë strategjikë dhe aleatë në NATO kanë ndërtuar marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta mbrojtëse, që është një kontribut tjetër për sigurinë kolektive të Aleancës”, tha në takim, Nikoliq.

Nikoliq i prezantoi planet për modernizimin dhe pajisjen e Armatës, duke u fokusuar në blerjen e mjeteve të blinduara të lehta për nevojat e Armatës, për të cilat qeveritë e të dy vendeve kanë nënshkruar tashmë një marrëveshje, si dhe planet për të blerë armë të reja dhe të sofistikuara në të ardhmen.

Në kuadër të vizitës, sekretari shtetëror dhe delegacioni nga Ministria dhe Armata u takuan me disa kompani amerikane në industrinë e mbrojtjes, ndër të cilat “Oshkosh”, me të cilat u lidh kontrata për furnizimin e mjeteve të blinduara të lehta.