Deklaratë e përbashkët SHBA-RMV: Jemi të fokusuar në thellimin e partneritetit dypalësh

Shkup, 3 qershor – Qeveritë Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së publikuan deklaratë të përbashkët në kuadër të takimit të parë nga procesi i Dialogut Strategjik midis dy vendeve, që u mbajt dje në Uashington në të cilin u theksua se dialogu është i fokusuar në thellimin e partneritetit dypalësh.

Siç kumtuan nga shërbimi për shtyp i Qeverisë, në deklaratën e përbashkët konfirmohen marrëdhëniet e fuqishme mes dy vendeve dhe njëkohësisht shprehet kënaqësia për avancimin e përbashkët të prioriteteve në sferën e sigurisë dhe në planin bilateral në kontinentin evropian dhe në mbarë botën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonia e Veriut e kanë përsëritur mbështetjen e tyre të fuqishme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, zgjedhjen e një të ardhmeje evropiane dhe i kanë bërë thirrje Rusisë që menjëherë t’i japë fund luftës dhe të tërhiqet plotësisht nga Ukraina.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonia e Veriut me këtë deklaratë e kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor përmes iniciativave politike, ekonomike dhe të sigurisë dhe kanë theksuar mbështetjen e tyre për integrimin ekonomik dhe zhvillimin e rajonit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksuan rëndësinë e avancimit të procesit të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sa më shpejt të jetë e mundur. Ata mbështetën inkuadrimin konstruktiv të Maqedonisë së Veriut në iniciativat rajonale për stabilitet dhe siguri, si dhe synimin e Maqedonisë së Veriut për t’u bërë anëtare e ″Nisma e Tre Deteve″.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në deklaratë, me padurim presin që të mbështesin punën e Maqedonisë së Veriut me kryesimin e saj me OSBE-në në vitin 2023.
Në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë, SHBA-ja dhe Maqedonia e Veriut në deklaratën e përbashkët theksojnë rëndësin strategjike nga zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse të klasit të lartë, kryerjes së stërvitjeve dypalëshe dhe aktiviteteve për stërvitje për përmirësimin e ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë, si dhe rëndësinë e përmbushjes së obligimeve të NATO-s për të mbështetur sigurinë kolektive.
Shtetet e Bashkuara, më tej, shprehën mirënjohje për arritjet e Maqedonisë së Veriut në modernizimin dhe pajisjen e forcave të saj të armatosura me pajisje të avancuara ushtarake, si dhe përpjekjet për të përmirësuar sigurinë e saj kibernetike dhe aftësitë e mbrojtjes kibernetike.

Shtetet e Bashkuara përgëzuan për zhvillimin qendrës për trajnimin ushtarak Krivollak në Maqedoninë e Veriut për t’i shërbyer stërvitjeve të aleatëve dhe partnerëve të NATO-s.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonia e Veriut kanë riafirmuar bashkëpunimin e tyre në kuadër të ShBA – Karta e Adriatikut (A5), dhe presin bashkëpunimin e ngushtë gjatë kryesimit të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut me Kartën në vitin 2023.

Në planin e energjisë dhe mjedisit jetësor të dy vendet e përsëritën përkushtimin e tyre për rritjen e diversifikimit dhe pavarësisë energjetike në mbështetje të sigurisë nacionale dhe në mënyrë që do të parandalojë ndikimet negative të ndryshimeve klimatike.

SHBA dhe Maqedonia e Veriut theksojnë përkushtimin e tyre për përforcimin e partneritetit për tranzit dhe prodhimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

Në deklaratën e përbashkët me rastin e fillimit të procesit të Dialogut Strategjik, SHBA-të dhe Maqedonia e Veriut u konfirmua përkushtimi për thellimin e bashkëpunimit në sferën e arsimit, kulturës dhe në aspektin profesional që nxisin mirëkuptim të ndërsjellë midis popujve dhe pasqyrojnë vlera, aspirata dhe qëllime të përbashkëta.

SHBA-ja e potencoi si të rëndësishme inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancën Ndërkombëtare për kujtimin e Holokaustit si një anëtare e barabartë në vitin 2022.

Të dy vendet janë të përkushtuara në promovimin e demokracisë, sundimin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, në nivel rajonal dhe global, që ndërlidhen me obligimet nga Samiti i Demokracisë që nikoqir ishte Presidenti Bajden.

Është përshëndetur interesi i Maqedonisë së Veriut për t’u bërë vend partner në Programin Global të SHBA-së për mbrojtjen e doganave dhe sigurisë kufitare.

Në deklaratën e përbashkët me rastin e fillimit të procesit të Dialogut Strategjik, të dy vendet rikonfirmuan angazhimin e tyre të ndërsjellë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh ekonomik dhe tregtar.

Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin Maqedoninë e Veriut si një treg të rëndësishëm strategjik në zhvillim me potencial të lartë rritjeje.

Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur gatishmërinë për të shfrytëzuar potencialin tregtar, për të avancuar reformat në klimën afariste dhe të vazhdojnë për identifikimin dhe zvogëlimin e barrierave për tregti dhe investime.

Delegacionin e Maqedonisë së Veriut në Uashington e kryesoi shefi i diplomacisë, Bujar Osmani në takimin me sekretarin shtetëror Entoni Blinken e falënderoi Sekretarin e Shtetit Blinken për mikpritjen dhe organizimin e jashtëzakonshëm të Dialogut Strategjik në Uashington, duke theksuar se kjo është një ditë e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Nisja e Dialogut Strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Maqedonisë paraqet një moment historik të rëndësishëm në marrëdhëniet tona të përgjithshme bilaterale dhe mendoj se është një hap logjik përpara, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike para 30 vjetëve dhe 15 vite të partneritetit strategjik, dhe veçanërisht dy viteve Aleancë në NATO”, deklaroi Osmani.
Sipas Osmanit, siç kumtoi MPJ, ky momentum do të hapë një kapitull të ri të bashkëpunimit dhe do ta fusë në kornizë bashkëpunimin e dy vendeve në përgjithësi.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani kur vlerat tona janë sfiduar; e ne vendet e botës demokratike dhe vendet të cilat ndajmë të njëjtat vlera, duhet të jemi të koordinuar ngushtë për të adresuar ato sfida”, tha Osmani.

“Mendoj se kulmi i bashkëpunimit tonë ishte anëtarësimi ynë në NATO dhe ju jemi mirënjohës për mbështetjen që na jepni. Ky ishte qëllimi i parë dhe më i rëndësishëm strategjik për Maqedoninë e Veriut. Tentojmë që këto dy vite të jemi një vlerë e shtuar jo vetëm për Aleancën por edhe në rajonin tonë si partner konstruktiv i NATO-s”, shtoi Osmani, duke falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në aspiratat e Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në tejkalimin e mosmarrëveshjeve që kemi për t’u anëtarësuar në BE dhe për ta shtyrë të gjithë rajonin në ankorimin euroatlantik”, përfundoi Osmani.

Kënaqësi për fillimin e Dialogut Strategjik shprehu edhe Antony Blinken, Sekretar i Shtetit të SHBA-së.

“Ne e vlerësojmë agjendën shumë të rëndësishme reformuese në të cilën është angazhuar Maqedonia e Veriut, për demokracinë, për energjinë, për iniciativat ekonomike rajonale. Të gjitha këto janë të rëndësishme dhe ne i mbështesim fort”, tha Blinken.

“Ne mbështesim fuqishëm ambiciet e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE. Ne me të vërtetë duam ta shohim atë të ecë përpara dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë në çdo mënyrë që mundemi,” theksoi Blinken.

“Dhe, sigurisht, kemi shumë për të folur kur bëhet fjalë për agresionin rus kundër Ukrainës. Ju ishit në Kiev, një njërën prej ditëve kur unë po bisedoja me mikun tonë Dmitro Kuleba, Ministër i Jashtëm i Ukrainës. Mezi pres të shkëmbejmë mendime me ju për këtë çështje”, përfundoi Blinken.