David Geer kërkon bashkimin e pozitës dhe opozitës rreth agjendës evropiane
Shkup, 17 shkurt – Pozita dhe opozita shkëmbyen mendime të ndryshme për Raportin e KE-së për progresin e vendit për vitin 2021, i cili u diskutua në seancën e sotme të Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane. Shqyrtimi i Raportit me afro pesë muaj vonesë nga prezantimi, siç theksoi kryetari i Komisionit, deputeti Arbër Ademi, është për shkak të mungesës së kushteve, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve lokale, si dhe dorëheqjes së Qeverisë dhe zgjedhjen e Qeverisë së re.
Ambasadori i BE-së Dejvid Gir përsëriti se raporti konfirmon se vendi i plotëson kushtet për fillimin e negociatave, por edhe se duhet të vazhdojë me reformat për të bërë progres të mëtejshëm në zbatimin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sundimin e ligjit, në legjislacionin zgjedhor, reformat në administratën publike. Vendi ka mbështetjen e BE-së për të arritur këto synime.
“Për sa i përket punës së Kuvendit, raporti kërkon forcimin e rolit të Kuvendit, për të zhvilluar një dialog konstruktiv, veçanërisht në funksion të agjendës së reformave evropiane. Vërehet se ka polarizim, veçanërisht në pikëpamjet me Kovid 19. Parlamenti vazhdon të ketë funksionin e tij legjislativ, por theksohet se duhet të jenë më të pakta dhe të kufizohet përdorimi i procedurave të shkurtuara për miratimin e ligjeve. Është shumë e rëndësishme që të ketë bashkëpunim mes partive të ndryshme politike për suksesin e reformave. Prandaj i bëj thirrje të gjithë deputetëve që të bashkëpunojnë për të arritur qëllimet e përbashkëta për përmbushjen e agjendës evropiane”, tha ndër të tjera ambasadori Gir.
Zëvendëskryeministri i ri për Çështje Evropiane dhe Koordinatori Komëbtar i IPA-së, Bojan Mariçiq, shfrytëzoi rastin për të prezantuar prioritetet e punës së tij gjatë pjesëmarrjes së tij të parë në punën e Komisionit. Siç theksoi ai, këto janë: përmirësimi i koordinimit dhe drejtimi i reformave për evropianizim të plotë në vend, për të cilin ka rol Kuvendi sepse të gjitha ligjet e reja duhet të kalojnë filtrin e organeve parlamentare dhe mbi të gjitha këtij komisioni. Më pas kujdesi për përgatitjen e ekipeve dhe proceseve për negociata me BE-në, përmirësimin e përthithjes së fondeve IPA dhe ndihmave të tjera të huaja, dhe vazhdimin me ritëm të përshpejtuar në përgatitjen e interpretimit kombëtar të ligjit të BE-së – akito. Sipas tij, nuk është për t’u habitur që në Raport thuhet se vendi vazhdon të përmbushë kërkesat për fillimin e negociatave, duke pasur parasysh vlerësimet sipas kapitujve, por thotë se ende ka shumë punë për të bërë.
“Procesi i integrimeve evropiane është një çështje rreth së cilës duhet të kemi një qasje të bashkuar në mënyrë që të mund të zbatojmë më efektivisht reformat në interes të përbashkët të të gjitha partive politike dhe të gjithë vendit. Ritmi i reformave varet më së shumti nga përkushtimi dhe qasja jonë e ndershme si dhe nga konsensusi i gjerë në shoqëri, por edhe në Kuvendin tonë, i cili është i nevojshëm që ne të përparojmë me ritmin e dëshiruar. Fillimi zyrtar i negociatave të anëtarësimit sigurisht që do të japë shtysën e nevojshme për zbatimin e reformave të thelluara me dinamikë të përshpejtuar jo vetëm në harmonizimin me të drejtën e BE-së, por edhe në zbatimin thelbësor të ligjeve të miratuara. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ne derisa i fillojmë negociatat duhet të rrimë dhe do të presim, por përkundrazi shumë shpejt presim një plan të ri reformash me detyra të reja”, thotë Mariçiq.
Kryetari i Komisionit Ademi iu referua vlerësimeve dhe rekomandimeve në Raport, si dhe, siç tha, vetos së Bullgarisë si pengesë për fillimin e negociatave, theksoi se në të dyja vendet ka qeveri të reja që dhanë shtysë të re dhe impuls të ri për të stimuluar bashkëpunimin dypalësh me fqinjin tonë lindor. Ai shpreson se fluturimi i aeroplanit të parë nga Shkupi për në Sofje në linjën e re simbolikisht do të jetë pararojë e re e vendosjes së marrëdhënieve më të mira ekonomike, politike dhe mbi të gjitha miqësore me fqinjin tonë, por, thotë ai, “një dallëndyshe nuk e sjell pranverën.” dhe të gjithë janë të vetëdijshëm se kemi shumë punë për të bërë, se nuk duhet të defokusohemi nga agjenda e reformave evropiane.
“Nëse nuk do të ishte vetoja bullgare, Këshilli do të kishte miratuar Kornizën Negociative dhe do të kishim mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare në përputhje me rekomandimin e marsit të vitit 2021 kur anëtarët e Këshillit Evropian miratuan vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Pra, nuk mund ta shmangim zbatimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë si dhe të paketës 4+1. Nëse jemi plotësisht të fokusuar në fillimin e negociatave, na duhet angazhimi ynë për marrëdhënie të mira dhe zhvillim rajonal dhe rezultate të prekshme në zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen me Bullgarinë dhe reformat evropiane që duhet të sjellin një jetë më të mirë për qytetarët”, tha ndër të tjera Ademi.
Deputetja e VMRO-DPMNE-së Zhaklina Peshevska iu referua vërejtjeve në Raport ku vendi është vlerësuar me nota më të ulëta në krahasim me Raportin e kaluar të KE-së si gjyqësori dhe të drejtat themelore në fushën e prokurorisë publike dhe gjyqësorit, për të cilin thuhet se ka rënië me dy pikë nga 4 në 2.
“Raporti thekson se partitë opozitare mbetën të përfshira në mënyrë aktive në Kuvend dhe në disa raste mbështetën ligjet kyçe të BE-së. Pyetja ime është nëse shumica në Kuvend është konsistente me detyrën dhe përgjegjësinë e saj sepse shumë herë nuk kanë kuorum të trupave të punës dhe nëpër seanca. Sa i përket transparencës së qeverisë, kemi 45 deri në 50 për qind të ligjeve të miratuara në korsi të shpejtë me shkelje flagrante të rregullores dhe keqpërdorim të flamurit evropian dhe për ligje që nuk përputhen apo harmonizohen me legjislacionin evropian”, tha Peshevska, e cila ndër të tjerat i bëri apel ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së të angazhohen për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë sipas parimeve evropiane.
Deputetja Snezhana Kalevska Vançeva e LSDM-së tha se është e rëndësishme të ndërtohet një demokraci parlamentare, procese të vërteta demokratike që nënkuptojnë një diskutim real dhe konsensus mes të gjithë përfaqësuesve në legjislativ në mënyrën e duhur, sepse, siç thotë ajo, gjithçka fillon dhe përfundon në Kuvend.
“Nuk ka përparim pa kritikë, por a është kritika një kritikim i hapur, duke frenuar gjithçka që mund të ndalet vetëm me çmimin e ardhjes në pushtet? Nuk do të thosha se këto janë procese demokratike. Por ne do të vazhdojmë të shtrijmë dorën apo të japim mundësira, të ecim së bashku në rrugën drejt BE-së dhe e di që në fund do të arrijmë atë që duhet të bëjmë si detyrë shtëpie. Nëse e shikojmë raportin, është e qartë se opozita ka kontribuar në disa ligje evropiane, fatkeqësisht të gjithë jemi të vetëdijshëm se ligjet kyçe si Ligji për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë akoma janë në ngërç”, tha Kaleska Vançeva.
Lidhur me negociatat me BE-në, ajo tha se pret që kjo të ndodhë këtë vit, edhe pse, sipas saj, nuk varet nga sa të mirë dhe të përkushtuar jemi, por nga mosmarrëveshja irracionale me Bullgarinë, të cilën duhet ta zgjidhim.