Dauti: Qeveria po e shtrydh ekonominë formale, zgjidhjen duhet ta kërkojë në ekonominë gri
Shkup, 20 shkurt – Deputetja dhe koordinatorja e grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend në fjalën e saj në debatin për Propozimin e ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për rrogën minimale, me të cilin rroga minimale do të jetë 18.000 denarë tha se Aleanca për Shqiptarët dha mbështetje për rritjen e rrogës minimale, por shumica parlamentare nuk dha mbështetje për amandamentet tona për ta përmirësuar cilësinë e ligjit që në mënyrë ekuivalente me rritjen e rrogës minimale të bëhet edhe rritja e të punësuarve në të gjitha veprimtaritë, përcjell in7
Fjalimi i plotë i deputetes Dauti:
Qeveria po e shtrydh ekonominë formale, zgjidhjen duhet ta kerkoje në ekonominë gri
Aleanca për Shqiptarët dha mbështetje për rritjen e rrogës minimale, por shumica parlamentare nuk dha mbështetje për amandamentet tona për ta përmirësuar cilësinë e ligjit që në mënyrë ekuivalente me rritjen e rrogës minimale të bëhet edhe rritja e të punësuarve në të gjitha veprimtaritë (me përjashtim të të zgjedhurve dhe të emëruarve). Poashtu nuk u pranua edhe kërkesa tjetër që diferenca prej 1 505 denarë për punëtorë, që vjen si pasojë e rritjes së pagës minimale të mos ju merret subjekteve afariste dhe këtë e kërkonim të vlente për tre vitet e ardhshme.
Pra, ne kërkonim që në tre vitet e ardhshme shuma e kontributeve dhe tatimit personal, që si pasojë e rritjes së pagës minimale nga 6 917 do të bëhet 8 442, të vazhdojë të jetë si para rritjes së pagës minimale, d.m.th. punëtori të merr rrogë minimale neto 18 000 denarë, por biznesi të mos ngarkohet me kontribute dhe tatim personal të ri, pra të mos paguaj 1 505 denarë më shumë nga ajo që ka paguar gjer tani. Ndërsa, Qeveria ka propozuar që vetëm diferencën e re të kontributeve prej 1 190 denarë t’ua kthejë ndërmarrjeve, vetëm për 10 muajt e ardhshëm 15.5 milionë euro edhe atë nëse do t’i plotësojnë shumë kushte të parapara në Propozim Ligj. Ndërsa, ne themi të ngrijë nivelin e tatimeve dhe kontributeve dhe të mos e ngarkojë me 23.5 milionë euro të reja në vit sektorin privat.
Dhe këtë e kërkonim me qëllim që ngarkesa e re të mos jetë arsye dhe të mos reflektohet me çregjistrim të punëtorëve nga puna dhe pasoja tjera që lidhen me likuiditetin e ndërmarrjes. Por, zgjidhjen për inkasimin e mjeteve shtesë në fondin pensional, invalidor e shëndetësor ta kërkojë në ekonominë gri, apo informale ku për fat të keq nga viti 2018 e këtej nuk është ruajtur as tempoja e formalizimit të ekonomisë informale që ka qenë nga viti 2008-2018. Pra, nëse gjatë 10 viteve, mesatarisht 1% në vit nga tregu i punës informal ka kaluar në formal, nga viti 2018 e këtej kjo mesatare ka rënë në 0,5%, apo e shprehur me numër punëtorësh i bie për 4 vite nga mbi 137 000 të punësuar në tregun gri të punës vetëm 5 500 nga viti 2018 gjer në vitin 2022 Qeveria ka planifikuar të kalojnë në tregun formal të punës nga të cilët do mund të inkasonte 7.5 milionë euro në vit. Por, në qoftëse shteti nuk do të mbante mendjen të shtrydh ekonominë formale, por do të koncentrohej në formalizimin më të madh të ekonomisë formale, p.sh. nëse 2% në vit do e zvogëlonte atë, do mundej të inkasonte 72 milionë euro në vit dhe nuk do kishte nevojë të ngarkojë ekonominë formale me ngarkesë të re të kontributeve dhe tatimeve që në këtë moment pret ta bën përmes rritjes së pagës minimale, ndërsa në vitin 2019 dhe në vitin 2020 e bëri përmes rritjes së normës së kontributeve për sigurimin e obligueshëm pensional invalidor dhe atë shëndetësor.
Ju lutem, e kam shumë të sinqertë këtë që e them dhe nuk dua të keqkuptohem. Me këtë në asnjë moment nuk them që nuk është dashur të rritet paga minimale, sepse ajo është e domosdoshme dhe e pashmangëshme kur të gjitha shpenzimet rriten. Por, dua të them që shpëtim nga e gjithë kjo është që shteti mos t’i vërsulet ekonomisë formale por ta ruaj atë, sepse duke mos u kujdesur sa duhet ajo ballafaqohet në njërën anë me shkallën e rritur të tatimeve dhe kontributeve, me rritjen e shpenzimeve siç janë edhe të energjisë elektrike dhe derivative të naftës të cilat kanë shkaktuar rrijen e kostos së prodhimtarisë dhe shërbimeve e nga ana tjetër ballafaqohet edhe me konkurencën jo lojale nga tregu informal me çrast është pengesë për shumë biznese për të kaluar në performancë më të lartë që do kalonin nga biznese të vogla në biznese të mesme.
Ndërsa kërkesa tjetër e jonë kishte të bëjë me atë që lartësia e rrogave në sektorin publik që është e vërtetuar me ligje të posaçme, rregulla të përgjithëshme dhe të rriten në mënyrë ekuivalente me rritjen e pagës minimale.
Por, as ky amandament nuk u pranua me çrast i lënë të punësuarit para së gjithash në arsim dhe administrate pa ju gëzu rritjes edhe të pagave të tyre-theksoi Dauti.
Ndryshe, debati rreth këtij Propozim ligji vazhdon nesër në orën 12:00.

