Danella Arsovska shkarkohet nga posti kryetare e BNJVL-së, ajo ankohet për bashkëpunim politik

Shkup, 30 janar – Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, sot është shkarkuar nga funksioni kryetare e Bashkësisë së Njësive për Vetqeverisje Lokale (BNJVL). Në seancën e sotme, me kërkesë të kryetarëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së u propozua ajo të shkarkohet nga funksioni ndërsa për kryetar të ri të zgjedhet kryetari i Kisella Vodës, Orce Georgievski, informon Zhurnal.

Pas seancës së BNJVL-së, nga kabineti i Arsovskës kumtuan se me këtë vepër u dëshmua koalicioni VMRO-DPMNE dhe LSDM.

“Ky është shembulli i fundit për bashkëpunim mes dy partive në dëm të qytetarëve për interesa të tyre të ngushta partiake. Establishmentit ekzistues politik si duket u pengojnë njerëz me vizion, njerëz me vlerë dhe të ndershëm, njerëz të cilët janë të pavarur dhe veprojnë në interes të qytetarëve. LSDM-së dhe VMRO-së si duket u pengojnë njerëz të cilët i thonë “JO” korrupsionit dhe krimit, njerëz të cilët interesin publik e vendosin para atyre të biznesit të kryesisë së partive”, thuhet në kumtesën e kabinetit të Arsovskës.

Arsovska ishte zgjedhur kryetare e BNJVL-së në dhjetor të vitit 2021, atëherë kur si nënkryetarë u zgjodhën kryetari i Vallandovës Pero Kostadinovski dhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu./Zhurnal.mk