Dalin pamjet, ushtarët rusë qëllojnë mbi civilë të paarmatosur

Kur Leonid Pliats dhe shefi i tij u qëlluan pas shpine nga ushtarët rusë, vrasja e tyre u kap në kamerat CCTV me detaje të qarta, të cilat ishin të tmerrshme. Pamjet, të cilat u siguruan nga BBC, tani po hetohen nga prokurorët ukrainas si krim i dyshuar lufte.

Ishte kulmi i luftimeve afër Kievit dhe rrugët kryesore për në kryeqytet ishin një fushëbetejë, duke përfshirë edhe dyqanin e biçikletave ku Leonid punonte si roje sigurie.

Por kjo nuk ishte përleshje zjarri: videoja tregon qartë ushtarët rusë të armatosur rëndë që qëllojnë dy ukrainasit e paarmatosur dhe më pas plaçkitin biznesin.

BBC ka bërë bashkë sekuencën e plotë të ngjarjeve, si dhe bëri përputhjen e regjistrimit të kamerave të shumta që ishin në atë zonë me dëshminë e njerëzve që Leonid telefonoi atë ditë, si dhe luftëtarët vullnetarë ukrainas që u përpoqën ta shpëtoni, shkruan BBC.

Rusët mbërrijnë me një furgon të vjedhur dhe mbajnë shenjën V të përdorur nga forcat ruse dhe fjalët ‘Tank Spetsnaz’ me bojë të zezë. Ata kanë veshur uniformën ushtarake ruse dhe afrohen me armët lart, me gishtat te këmbëza.

Ushtarët rusë nuk e dinin që ishin duke u filmuar nga kamerat e sigurisë.

Leonidi ecën drejt ushtarëve me duart lart për të treguar se është i paarmatosur dhe se s’përbën kërcënim.

Rusët fillimisht flasin me të dhe shefin e tij përmes gardhit. Nuk ka audio në pamje, por burrat duken të qetë, madje pinë duhan. Pastaj ukrainasit largohen dhe ushtarët fillojnë të largohen.

Papritur ata kthehen prapa, marrin pozicion dhe i qëllojnë dy burrat disa herë në shpinë.

Njëri vritet menjëherë, por në një farë mënyre Leonidi arrin të qëndrojë në këmbë. Ai madje e lidh rripin rreth kofshës për të ngadalësuar gjakun, pastaj arrin në kabinën e tij ku fillon të thërrasë për ndihmë.

Ai thirri mikun e tij, Vasyl Podlevskyi, i cili tha se Leonidi e thirri dy herë atë ditë, derisa rrinte ulur i gjakosur rëndë. Leonidi i tha atij se ushtarët pretenduan se nuk vrisnin civilë, por më pas e qëlluan.

“I thashë, a mund ta lidhesh me fashë të paktën? Dhe ai më tha: ‘Vasya, mezi u zvarrita deri këtu. Gjithçka më dhemb shumë. Ndihem shumë keq’”, kujton Vasyl.

“Kështu që i thashë të rrinte aty dhe fillova të telefonoja mbrojtjen territoriale.”

Zyra e Prokurorit konfirmon se tani po heton vrasjen e Leonidit dhe kolegut të tij si një krim i mundshëm lufte: një nga më shumë se 10,000 rastet që ata kanë regjistruar.