“Come on N.Macedonia, You can do it!”

Shkup, 15 mars – Ishte muaji nëntor i vitit 2020, atëherë kur Bullgaria vendosi të vendosë veto ndaj Maqedonisë së Veriut lidhur me fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Në vitin 2017 Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria patën firmosur një marrëveshje për fqinjësi të mirë, ndërsa tre vite më vonë, Bullgaria nuk ishte e kënaqur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, ndërsa ministrja e atëherhsme e jashtme, Ekaterina Zaharieva, pati thënë se vendi i saj kërkon respektimin e formulimit të gjuhës në përputhje me marrëveshjen, udhërrëfyes me afate të sakta për zbatimin e marrëveshjes dhe tekst të qartë se pakica maqedonase në Bullgari nuk njihet, shkruan Zhurnal.

“Bullgaria në këtë fazë nuk mund të mbështesë kornizën negociuese me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Propozimi nuk pasqyron kërkesat bullgare dhe nuk mund të mbështetet në formën ekzistuese” pati Ekaterina Zaharieva – Ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Që para kësaj dite, Bashkimi Evropian vazhdimisht pati dhënë mbështetje për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, se të njejtat përmbushin të gjitha kushtet për anëtarësim por se mosmarëveshjet bilaterale duhet të zgjidhen mes dy shteteve.

“Nëse keni konflikte dypalëshe që nuk mund të zgjidhen në javët e ardhshme, tani nuk është koha për të filluar konferencën e parë ndërqeveritare. Duam t’i dërgojmë sinjal të vërtetë Ballkanit Perëndimor, Maqedonisë dhe Shqipërisë, ata kanë bërë shumë, kanë arritur shumë, por është një rrugë e gjatë që fillon me negociatat”, pati deklaruar Michael Roth, kryesues i atëhershëm i këshillit të BE-së.

“You can do it!”

Kanë kaluar 1 vit e gjysmë prej kur BE-ja i ka dhënë mbështetje Maqedonisë me fjalët se negociatat duhet të fillojnë orë e më parë, por nga ana tjetër i të njejtit mendim nuk është Bullgaria, gjithashtu anëtare e BE-së. Bashkimi Evropian me këtë mbështetje i ngjanë trajnerëve të boksit të cilët i japin mbështetje nxënësve të tyre boksierë, të cilët pësojnë goditje të pandërprera dhe lëndime, por ato edhe më tej i japin kurajo se “mund ta bësh! – You can do it!”.

Në Maqedoninë e Veriut në vizita zyrtare ishin përfaqësues të ndryshëm të lartë evropianë e amerikanë, ambasadorë e kush jo tjetër, mirëpo fjala e secilit prej tyre ka qenë se Maqedonia duhet sa më shpejtë të fillojë negociatat me BE-në. Vizita kishte gjithashtu edhe në Bullgari, ku atje shkoi për të negociuar komisioneri për zgjerim, Oliver Varhejli. Presionin e patën rritur edhe SHBA-të duke i kërkuar Bullgarisë që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Është gabim që Bullgaria po përdorë një mosmarrëveshje dypalëshe për të ndaluar aspiratat e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së. Ata po e kthejnë atë në një çështje shumëpalëshe që na prek të gjithëve për momentin”, ishte mesazhi i dërguar nga i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkruan Zhurnal.

Nga ana tjetër, Maqedonia edhe pse e ka gjithë këtë mbështetje nga BE-ja e Amerika, gjithsesi në negociatat me Bullgarinë është e vetme dhe ka mbetur e mbështetur për muri duke patur parasasysh kërkesat e Bullgarisë për historinë, gjuhën dhe kulturën maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e udhëhequr nga LSDM dhe BDI, gjithnjë ka qenë optimiste dhe ka frymëzuar qytetarët se fillimi i negociatave është shumë afër, se shumë shpejtë Maqedonia do të marë datë për fillim të negociatave, por këtyre fjalëve, nuk u kanë besuar as vet ato që i kanë thënë. Optimisti më i madh dhe ai që më së shumti rrahte gjoks për fillim të negociatave gjithnjë ka qenë ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani, krah për krah me zv.kryeministrin e deritanishëm, Nikolla Dimitrov.

Borell: Evropa të zgjohet!

Vizita e Borellit dje në Shkup edhe një herë konfirmoi pamundësinë e BE-së se ata nuk mund ët bëjnë diç më tepër për të bindur Bullgarinë për të hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut. Edhe pse Borel vet vjen nga radhët e Bashkimit Evropian, si përfaqësues i tyre i lartë, ai i bën thirrje Evropës që të zgjohet, sepse tani është momenti kur duhet të jetësohet procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai pas takimit me kryeministrin e vendit Dimitar Kovaçevski, theksoi se RMV dhe i tërë rajonit janë prioritet strategjik dhe BE-ja është e përkushtuar të bëjë realitetin perspektivë evropiane të këtyre vendeve.

Por gjithsesi, Borell dje nuk mundi të premtojë një datë për fillimin e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë, por vetëm premtoi mbështetje dhe vullnet për bisedime të shpejta. Qëndrimet e BE-së sipas tij, nuk janë deklarata retorike, por janë vlerësim i fortë dhe angazhim për një qëllim. E për çfarë zgjimi i bën thirrje Boreli Evropës në këtë rast?

Sipas të gjitha rezultateve nga të gjitha ato takime që janë realizuar deri më sot me përfaqësues diplomatik evropian, ngelet të kuptojmë se Maqedonia e Veriut duhet të përvjelë mëngët dhe të gjejë një zgjidhje të përbashkët me Republikën e Bullgarisë, dhe kështu, e vetme të bindë fqiun që të heqë veton, me shpresë se kjo nuk do të zgjatë edhe shumë, sepse në prapa dere po pret Republika e Shqipërisë, kryeministri i së cilës paralajmëroi se nëse deri në verë nuk zgjidhet kontesti, Shqipëria do të donte e vetme të vazhdojë rrugën drejt BE-së.

Problemet dhe mosmarëveshjet kryesore mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut janë historia maqedonase, prejardhja e Goce Dellçevit, “fashizmi bullgar”, gjuha maqedonase dhe pakica bullgare në Maqedoni./Zhurnal.mk