Çmimi i naftës shtrenjtohet, ndërsa benzina lirohet

Shkup, 20 qershor – Me vendimin e sotëm të Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRRE), çmimi i benzinës do të ulet për 1,5 denarë, ndërsa dizelit do të rritet për 0,5 denarë, njoftoi kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski.

Çmimet e reja të derivateve të naftës, siç tha ai, vijnë nga fakti se gjatë javës së kaluar kursi i dollarit u rrit për gati dy denarë dhe arriti mbi 59 denarë për një dollar.

“Kursi i dollarit bën presion, sepse nga 57 u rrit në 59. Me metodologjinë e fundit, KRRE merr përsipër të dhënat nga bursa Mesdhetare, ashtu si Serbia, Mali i Zi, Sllovenia, Kroacia, Italia dhe Greqia, për secilin derivat veç e veç. Ne nuk e marrim parasysh atë që po ndodhë në bursat botërore veçanërisht për bruto naftën brent. Si shtet që nuk ka rafineri, ne i marrim produktet e gatshme, veçanërisht për dizelin, veçanërisht për benzinën, veçanërisht për vajin ekstra të lehtë dhe veçanërisht për naftën”, deklaroi Bislimoski në konferencën e sotme për media.

Sipas çmimeve të reja që do të vlejnë nga mesnata, EUROSUPER BS-95 do të kushtojë 110 denarë për litër, EUROSUPER BS-98 do të shitet për 112, ndërsa EURODIZEL (DE V) për 110 denarë për litër. /Zhurnal