Çmimi i grurit u rrit përnjëherë për shkak të sulmit rus në Odesa

Çmimi i grurit sot u rrit përnjëherë, pas sulmit raketor mbi portin ukrainas të Detit të Zi, Odesa, të kryer fundjavën e kaluar që shkaktoi dyshime për zbatimin e marrëveshjes së arritur javën e kaluar për hapjen e korridorit për eksportin e grurit nga Ukraina.
Rusia, Ukraina, Kombet e Bashkuara dhe Turqia të premten nënshkruan marrëveshje për hapjen e sërishme të tri porteve ukrainase në Detin e Zi për eksportin e grurit. Marrëveshja do të vlejë 120 ditë, ndërsa është planifikuar eksport mujor prej pesë milionë tonësh,
Çmimet e kontratave të grurit në bursën në Çikago sot u rritën për thuajse katër për qind në 7,86 dollarë për një buhel, duke kthyer një pjesë të madhe të humbjeve të vërejtura të premten, kur çmimet ranë për thuajse gjashtë për qind pas publikimit të marrëveshjes.
“Rinisja e eksporteve të Ukrainës jo vetëm që do të kërkojë një kanal të sigurt për lundrimin e anijeve, por edhe porte të sigurta. Rusët ngritën dyshime për sigurinë e porteve edhe para se të thahej boja në marrëveshjen e transportit. Dyshimi është përsëri i pranishëm”, tha një tregtar evropian.
Portet detare ukrainase janë mbyllur që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt. Disa të mbjella u transportuan me hekurudhë dhe nëpër rrugë përmes vendeve fqinje si Rumania dhe Polonia, por miliona tonë u grumbulluan në ferma.