Çmimi i dizelit lirohet për 1,5 denarë, shtrenjtohet benzina

Shkup, 31 tetor – EURODIZEL (D-E V) prej sonte në mesnatë lirohet për 1,5 denarë për litër, ndërsa çmimi i benzinës EUROSUPER BS-95 rritet për gjysmë denarë, ka vendosur sot Komisioni rregullator për energjetikë dhe shërbime të ujit (KRRE). Me këtë vendim bëhet ulja e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht për 0.16 për qind.

Çmimi i ri i shitjes me pakicë i EURODISEL (D-E V) do të jetë 99 denarë për litër, ndërsa EUROSUPER BS – 95 do të shitet për 90,5 denarë për litër. Me vendim të KRRE-së për një denarë lirohet edhe Vaji ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1), i cili do të kushtojë 96 denarë për litër, ndërsa çmimi i EUROSUPER BS – 98 mbetet i njëjtë, gjegjësisht 92,5 denarë. Çmimi i shitjes me pakicë i mazutit M-1 NS, megjithatë, rritet për 0,584 denarë për kilogram dhe tani do të kushtojë 50,067 denarë.

Nga KRRE-ja theksojnë se çmimet e referencës së derivateve të naftës në tregun botëror në krahasim me llogaritjen paraprake tregojnë rritje tek benzinat mesatarisht për 0,87 për qind, tek dizeli ka ulje për 1,202, tek vaji ekstra i lehtë ulje për 0,228, ndërsa tek mazuti rritja është për 2.506. Kursi i denarit në krahasim me dollarin në periudhën e fundit pas së cilit janë formuar çmimet me llogaritjen paraprake është më e ulët për 0,387 për qind.