Çmimet në treg, qytetarët: Vetëm rrogat stagnojnë
Rritje të çmimeve në bursë në muajin korrik është vërejtur për sheqerin, mishin dhe vajin, ndërsa rënie ka pasur tek qumështi, produktet e qumështit dhe drithërat, tregojnë të dhënat e Indeksit të Çmimeve të Ushqimit të matur nga Organizata Botërore e Ushqimit. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar vërehet një rritje prej 3%. Qytetarët ankohen se përderisa çmimet rriten, rrogat dhe pensionet mbeten të ulëta.
“Për standardin tonë shumë shtrenjtë janë, se rrogat janë 20 mijë denarë – 25 mijë denarë për punëtorët e thjeshtë dhe për atë nuk mund t’ia dalim. Çmimi i rrymës është i lartë, në treg gjërat janë të larta. Kah t’ia mbajmë?!”, – tha një qytetar.
“Të shtrenjta janë shumë, për neve pensionistët shtrenjtë janë, për punëtorin e thjeshtë shtrenjtë janë. Çfarë mundesh të bësh me 13 mijë denarë pension, 3 anëtarë jemi në shtëpi?!”, – tha një qytetar tjetër.
“Po, të shtrenjta janë çmimet. Tanimë po dihet se çmimet janë të shtrenjta, por s’kemi çfarë të bëjmë. Po jetojmë një jetë të hidhur në këtë shtet.”, – u shpreh një qytetar.
Nga ana tjetër, kryeministri Mickoski tha se në këto dy muaj si qeveri kanë arritur që të zbresin nivelin e inflacionit në rreth 3%, ndërsa përjashtoi që qeveria e udhëhequr nga ai do të bëjë kufizime të çmimeve.
“Se a duhet të jenë çmimet më të lira, po duhet të jenë, dhe apeloj te tregtarët që në mënyrë maksimale t’i ulin marzhat. Ne jemi ekonomi tregtare, ku tregu i dikton çmimet. Nëse hyjmë në një politikë të kufizimeve, atëherë i kemi parë se çfarë rezultate dha ajo politike, dha efekte të kundërta nga ato që i prisnim. Për atë politika e kësaj qeverie është të mbështesë investime, e jo të mbështesë rritje apo fryrje artificiale të konsumit publik.”, – theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Përndryshe sipas parashikimeve të reja me ribalancin e buxhetit, ky vit duhet të mbyllet me një normë inflacioni prej 3.5%.