Cipras: BE-ja në mënyrë aktive ta mbështesë Marrëveshjen e Prespës
Athinë, 28 gusht – BE-ja duhet në mënyrë aktive ta mbështesë Marrëveshjen e Prespës, duhet të bëjë gjithçka që është e mundur që të mbahen konferencat Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe të arrihet progres në bisedimet Prishtinë – Beograd, porositi lideri i SYRIZA-s, Aleksis Cipras në manifestimin solemn në Munster, Gjermania Federale, gjatë ndarjes së Çmimit Ndërkombëtar për Paqe të Vestfalias.
Ish-kryeministri grek, duke folur për Marrëveshjen e Prespës tha se është model për zgjidhjen e dallimeve, në mënyrë paqësore, duke i mbrojtur interesat nacionale dhe ndërtimin e besimit në kohërat më të vështira, por edhe se “çmimi më i rëndësishëm është fakti që popujt tanë tani mund të bashkëpunojnë dhe munden në të ardhmen të investojnë në paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në rajon”.
Theksoi se shikuar historikisht, “Ballkani ishte rajon i vështirë për promovimin e paqes”, ndërsa qëllimi i zgjidhjes ishte që të zhvillohen rrënjët e thella në vetëdijen e popujve tanë dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona.
“Dëshironim marrëveshje nën KB e cila do të zgjasë, e jo të prishet që në vështirësinë e parë. Marrëveshje që jo vetëm që do t’i zgjidhë dallimet mes nesh, por do të na lidhë në partneritet të ri strategjik me qëllim që të përballemi me sfidat dhe bashkë t’i shfrytëzojmë mundësitë”, tha Ciprasi.
Sqaroi se “kjo nuk ishte e lehtë” në kohë kur që të dyja vendet ishin në krizë ekonomike, përballeshin me çështjen e emigrantëve, në kohë kur ishte ngrirë procesi i zgjerimit të BE-së, në kohë kur SHBA-ja largohej nga diplomacia multilaterale, por edhe në kohë kur forcat nacionaliste ishin të fuqishme që në të dyja vendet dhe në pjesën tjetër të Evropës.
“Populli i Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë dëshmuar se problemet e përbashkëta mund të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe në bazë të ligjit ndërkombëtar. Madje edhe në momentin më të vështirë. Ato mund të zgjidhen nëse kemi një mendje të hapur, kemi vullnetin e nevojshëm politik dhe flasim në bazë të respektit reciprok. Ne kemi dëshmuar se Evropa mund të jetë një katalizator për paqen dhe stabilitetin në vend që të presë që të tjerët të marrin drejtimin, ose të shtyjnë ose të bëjnë deklarata që nuk kanë kuptim për jetën e njerëzve. Sot, kjo porosi është edhe më e rëndësishme sesa ishte në vitin 2018 dhe 2019,” porositi Cipras.
Lideri i SYRIZA-s foli edhe për pandeminë, si dhe për ngjarjet në Afganistan për të cilat tha se duhet të jenë leksion që nuk mund të kthehemi në modelet ekonomike dhe gjeostrategjike të 40 viteve të kaluara.
“Kur bëhet fjalë për dallimet rajonale, testi më i qartë është në vetë Evropën: Ballkani Perëndimor, çështja e Qipros dhe Mesdheu Lindor. BE -ja duhet të mbështesë në mënyrë aktive Marrëveshjen e Prespës. Duhet të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbajtur Konferencat Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe për të bërë përparim në negociatat Beograd-Prishtinë. BE-ja gjithashtu duhet t’i dërgojë një porosi të qartë Turqisë se e vetmja zgjidhje e mundshme për çështjen e Qipros është bashkimi i ishullit bazuar në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB -së, theksoi ish -kryeministri grek

