Cili ishte qëllimi i vizitës së klerikëve rus në Shkup?

Shkup, 13 janar – Ndikimi rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor është një rrezik që cenon paqen dhe sigurinë në rajon. Mbase, në Maqedoninë e Veriut përpjekje të tilla janë vërejtur shpesh herë, vetëm brenda një viti ishin dëbuar 11 diplomatë rus nga Shkupi, të cilin ishin të dyshimtë në kryerjen e funksionit të tyre e pikërisht gjatë kohës kur Maqedonia e Veriut kishte formuar ekipet negociatore për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë. Kjo mbase nuk ishte në favor të Rusisë pasi zgjidhja e këtij konteste zgjidhte problemin dhe hapte rrugën eurointegruese të vendit. Së fundmi Maqedonia e Veriut është në proces të sigurimit të 80 deputetëve për t’i bërë ndryshimet Kushtetuese, dhe tani çdo vizitë pa paralajmërim krijon hapësirë për dyshim. Ngjashëm edhe kleriku rus më 11 janar e vizitoi Shkupin pa ndonjë paralajmërim eventual, shkruan Zhurnal.

Cili ishte qëllimi i vizitës së klerikut rus në Shkup?

Vizita e klerikut rus në Shkup në mes të ditës po sikur të jetë vizitë e natës pa asnjë paralajmërim paraprak dhe njoftim eventual. Kjo formë e vizitës qysh në fillim krijon hapësirë për dyshime të qarta në këtë drejtim meqë kemi të bëjmë me një klerik që vjen nga shteti më i sanksionuar në botë.

Kisha, edhe pse është e ndarë nga shteti, ajo ka për detyrë që në mënyrë konstruktive të ndjekë drejtimin e zhvillimeve të shtetit, duke mbetur përkrah politikave euroatlantike, ashtu siç e kanë ndjekur dhe ndihmuar Kishën Ortodokse Maqedonase të gjitha qeveritë e mëparshme maqedonase.

Vizitën e mitropolitit rus, Antoni, më 11 janar në Maqedoninë e Veriut ngjalli dyshime të shumta, me ç’rast ky i fundit është takuar me kryetarin e Kishës Ortodokse Maqedonase, Stefanin. Mitropoliti rus, Antoni, nuk ka dhënë shumë informacione për mediat lidhur me qëllimin e kësaj vizite. Megjithatë, pas takimit me zyrtarët e lartë të Kishës Ortodokse Maqedonase ka thënë se në Maqedoninë e Veriut ka ardhur për ta uruar personalisht kryepeshkopin maqedonas, Stefanin për festën e emrit (“imen den” festë që ndërlidhet me festën e shenjtorëve që kanë emrin e ndjetë) dhe me këtë rast për të përcjellë urimet nga Patriarku rus, Kirili.

Gjatë takimit që ka realizuar mitropoliti rus, Antoni, me zyrtarët e Kishës Ortodokse Maqedonase është shoqëruar nga ambasadori i Federatës Ruse në Shkup, Sergej Bazdnikin. Nga ana tjetër, presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, tha se për momentin vizita e klerikut rus bëhet vetëm në kuadër të diplomacisë kishtare dhe nëse mbetet në ato korniza, nuk është problematike.

“Nëse diplomacia kishtare, e cila pa diskutim e dimë se po përdoret nga presidenti rus Putin, si një nga mjetet e tij për të justifikuar luftën në Ukrainë dhe për të justifikuar mizoritë që po kryen atje, atëherë nuk do ta mbështesja këtë, por deri në këtë moment mendoj se takimet kanë qenë vetëm në kuadër të kishës dhe është biseduar vetëm për çështjet kishtare”, tha Pendarovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas fjalimit në një ngjarje të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve.

Finalizimi i autoqefalisë së Kishës Ortodokse Maqedonase

Vizita e klerikut të lartë rus në Maqedoninë e Veriut përkon me kohën kur Kisha Ortodokse Maqedonase pret një akt konfirmues kishtar (tomos) nga Patrikana e Euminike në Stamboll. Kjo pasi Kisha Ortodokse Serbe më 24 maj të vitit të kaluar ka pranuar autoqefalin e Kishës Ortodokse Maqedonase, duke i dhënë fund kontestit prej disa dekadash mes tyre, përkatësisht nga viti 1067. Rikujtojmë se problemet ndërmjet dy kishave, serbe dhe asaj maqedonase kishin dalë në sipërfaqe sidomos pas pavarësisë së Maqedonisë (së Veriut) më 1991 pasi Kisha Serbe konsideronte se ndarja e Kishës Maqedonase nuk është bërë sipas rregullave kishtare. Më 9 maj të 2022, Patrikana Ekumenike e Stambollit pranoi Kishën Ortodokse Maqedonase si kishë të pavarur. Më 25 gusht 2022 edhe Kisha Ortodokse Ruse e njohu Kishën Ortodokse Maqedonase si kishë motër autoqefale. Kjo është vizita e parë e një kleriku të lartë rus që kur Kisha Ortodokse Ruse e njohu Kishën Ortodokse Maqedonase si kishë autoqefale. Mitropoliti Antoni paraprakisht ka vizituar Serbinë dhe Bullgarinë.

Rusia shpërqendron vëmendjen përmes Ballkanit Perëndimor –

Ivana Stradner, hulumtuese në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracisë – me seli në Uashington – beson se Ballkani i duhet Rusisë në kohë lufte për shpërqendrim të vëmendjes.

“Moska ka dëshiruar që të destabilizojë Ballkanin me vite, mirëpo jo sepse dëshiron që ta pushtojë atë. Tensionet janë të rëndësishme ashtu që Rusia të shpërqendrojë vëmendjen e Perëndimit nga ajo që është duke ndodhur në Ukrainë, sidomos tani”, ka thënë ajo në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Edhe Stronski beson se “interesi i Rusisë në Ballkan, nuk ka të bëjë me vetë Ballkanin, por me aftësinë për të pasur një derë të hapur në Evropë dhe Ballkani është një prej mënyrave më të lehta, apo të vetme për ta arritur këtë gjë”.

Prandaj, edhe secili shtet i rajonit duhet të krijojë mekanizma të posaçme për mbrojtje ndaj ndikim rus, i cili shpesh herë është i formave të ndryshme. Më i shpeshti dhe më së shumti që përdoret është ndikimi përmes mediave, pastaj sigurisht edhe përmes ndikimit ekonomik dhe atij politik përmes zgjatimeve të tyre që i kanë pothuajse në secilin shtet. Në Maqedoninë e Veriut si parti politike e cila përkrah fuqishëm orientimin pro lindor dhe është kundër NATO-s dhe BE-së është e Majta e udhëhequr nga, Dimitar Apasiev, i cili hapur dhe publikisht mbështet interesat ruse, madje edhe në kohën kur Maqedonia e Veriut sanksioni Rusinë për invazionin rus, kryetari i kësaj partie u taku me ambasadorin rus në Shkup. /Zhurnal.mk