Cili bunker mund të na ndihmojë nga tmerri i luftës?

Shkup, 22 mars – Gjendja aktuale politike botërore, të imponon mendimin për paqen e përjetshme. Vatrat kudo nëpër botë për t’u ndezur e shtojnë skepticizmin ndaj ideales njerëzore- paqen e përjetshme. Aristoteli në veprën e tij politika i quante “idiotes” ata që nuk marrin pjesë në punët publike, por si duhet t’i quajmë sot ata që nuk marrin pjesë në ndërtimin e paqes së përhershme?! Immanuel Kant, filozof i shquar, kishte specifikuar tri parime të domosdoshme: kushtetutë civile/qytetare, ndalim të dhunës dhe liria e njeriut si qytetar i botës- për të arritur paqen e përhershme, shkruan Zhurnal.

Shikuar politikisht, respektivisht në kontekst të marrëdhënieve ndërkombëtare, vendet ku shihen si rrezik për luftë eventuale, apo sikur ajo që ka filluar në Ukrainë, janë të shkelura, jo mirë të zhvilluara, në ndërtim e sipër të demokracive dhe kushtetutave qytetare, ende pengje të ish regjimeve të ashpra, e kështu me radhë.

Me të nisur lufta në Ukrainë, pushtimi rus mbi sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, u përmendën rreziqet dhe rastet e ngjajshme, si në Ballkan (B&H e Kosovë), Palestinë…

Ka elaboruar bukur çështjen e shpresës, mëtimin për paqen e përhershme dhe optimizmin autorja e njohur Lea Ypi.

Ndërsa ne të gjithë luftojmë dhe nuk arrijmë të lexojmë mendjen dhe qëllimet e Vladimir Putin, frika zëvendëson racionalitetin, Leviathani çliron fuqinë e tij dhe çdo shpresë duket e humbur. Por ka një këndvështrim tjetër nga i cili të bën të mendosh për shpresën. Shpresa nevojitet më së shumti kur bota duket e pashpresë. Për Kantin, shpresa nuk është diçka që gjen në botë, është një imperativ kategorik. Ne mund të tërhiqemi nga njëri-tjetri ose mund të parashikojmë projekte politike, që janë vërtet gjithëpërfshirëse: një largim nga status quo-ja, nga bota e sferave të ndikimit dhe kufijve që mbrojnë interesat ekzistuese ushtarake dhe ekonomike. Cila nga këto qëndrime mbizotëron në çdo moment të caktuar varet nga pritshmëritë që kemi për njëri-tjetrin, nëse e shohim njëri-tjetrin si objektiva për të shkatërruar ose si njerëzit e tjerë me të cilët duhet të angazhohemi.

Projekti evropian i një federate kozmopolite të shteteve, duke përfshirë Rusinë, diskutohet në faqet e parë të “Lufta dhe Paqja”. “Paqja e përhershme është e mundur”, thotë Pierre Bezukhov i Tolstoit, “por jo nga një ekuilibër i fuqisë politike”. Tolstoi na mëson se edhe në mes të konfliktit fatal, njëfarë besimi në njerëzimin e armikut duhet të mbetet. Kur armiqësitë degjenerojnë në një luftë shfarosjeje, argumenton Kanti, e gjithë drejtësia shkatërrohet dhe paqja e përhershme shndërrohet në “varrosje të madhe të racës njerëzore”.

 Në këtë botë, asnjë bunker nuk mund të ndihmojë. Sa më i madh të jetë tmerri i luftës, aq më e ngutshme është detyra morale për të shpresuar”, shkruan Ypi.

Të panjohurat e luftës

Të dhënat e deritanishme, sugjerojnë se kjo luftë po kthehet në favor të Perëndimit për 3 arsye. Sulmi rus jo i mirë-përgatitur dhe rezistenca e fortë e ukrainasve, kanë frymëzuar mbështetjen popullore për Ukrainën në të gjithë Evropën. Rusia dhe Putini duket se e kanë nënvlerësuar keq vendosmërinë e Ukrainës dhe zemërimin global kundër Moskës. Së fundmi, qeveritë demokratike në të dy anët e Atlantikut kanë bërë zgjedhje të forta politike, ekonomike, financiare, diplomatike dhe të sigurisë, që pasqyrojnë forcimin e aleancës dhe solidaritetit midis vendeve anëtare, transmeton bota.

Gjithsesi, bota mbetet në një moment të rrezikshëm dhe shumë të pasigurt. Putini mund të jetë më i fortë ose shumë më i dobët brenda Rusisë, në varësi të zhvillimeve të brendshme (një kryengritje popullore ose grusht shteti) dhe atyre të jashtme (Kina e forcon ose pakëson mbështetjen e saj për vetë Putinin).

Ai mund të sulmojë Moldavinë apo Gjeorgjinë, apo edhe të përpiqet të pushtojë zonën Suvalki midis enklavës baltike të Rusisë të Kaliningradit dhe Bjellorusisë. Pasi nisin, luftërat ndjekin rrallë një skenar të përcaktuara. Shumë më shpesh, ato i çojnë luftëtarët dhe jo-luftëtarët në shtigje të paparashikuara, me rezultate që herë pas here ndryshojnë botën. Pushtimi rus i Ukrainës duket se përmban “farat” e një konflikti të tillë. Se cili do të jetë rezultati i tij për Ukrainën dhe botën, kjo mbetet për t’u parë./Zhurnal