Cilat janë arsyet për temperaturat e larta këtë verë

Shkup, 22 gusht – Pjesa më e madhe e Evropës, veçanërisht Ballkani, u përball me një sërë valësh të nxehtësisë dhe temperatura jashtëzakonisht të larta këtë verë. Është regjistruar dukuria e netëve tropikale kur temperatura minimale e ajrit ishte më e lartë se 20 gradë celsiusë. Ngrohja e shtresës përdhese të ajrit në atmosferë dhe tokë dhe deficiti i reshjeve në një periudhe të gjatë kohore kanë shkaktuar paraqitjen e thatësirave dhe zjarreve pyjore që kanë qenë aktuale në periudhën e kaluar.

Ekspertët parashikojnë se dukuri të tilla do të jenë më të shpeshta në vitet e ardhshme, që do të thotë se priten thatësira të zgjatura, shira të papritur të dendura që mund të shkaktojnë uragane dhe përmbytje, valë rekorde të të nxehtit gjatë verës, por edhe valë të ftohta gjatë dimrit dhe pranverës së hershme.

Këto ndryshime do të ndikojnë në shëndetin e njeriut, por do të ndikojnë edhe në jetën socio-ekonomike. Sektori bujqësor do të preket më së shumti edhe nëse nuk përshtatet me kohë, janë të mundshme edhe rendimente të reduktuara të kulturave bujqësore gjë që, nga ana tjetër, do të shkaktojë rritje të çmimit të ushqimit.

“Edhe pse ishte e pritshme, vera e vitit 2021 shkaktoi shumë rekorde të temperaturës, respektivisht në disa pjesë të rajonit – pothuajse të pavërejtura deri më tani, janë regjistruar temperatura jashtëzakonisht të larta, që si rrjedhojë mund të lidhen me ndryshimet klimatike. Edhe pse ekstremet individuale nuk mund të lidhen drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike, renditja e kushteve ekstreme të motit në të gjithë botën ka ngritur shqetësime se të gjitha ngjarjet ndodhin si rezultat i ndryshimeve klimatike. Por ajo që është vërtet e dukshme është se frekuenca dhe forca e sistemeve atmosferike dhe fenomenet e motit të keq po rriten, që rezulton me shumë probleme socio-ekonomike, veçanërisht në vendet më të pazhvilluara që kanë nevojë për një periudhë dukshëm më të gjatë të përshtatjes për t’u rimëkëmbur nga ekstremet e motit”, shprehen autorët e analizës “Vera ekstremisht të nxehta dhe të thata, vjeshtë më e ngrohtë dhe dimër i butë në Evropën Juglindore në sezonin 2021-2022”.

Dy autorët, Dr. Vllado Spiridonov, profesor i rregullt i meteorologjisë në Institutin e fizikës të Fakultetit Matematiko-Natyror dhe ish -profesor vizitor i meteorologjisë në Universitetin e Vjenës dhe mr. Nedim Slladic, redaktor i bllokut të motit në Nova TV Sarajevë, në deklaratë për MIA-n bëjnë të ditur se na pret vjeshtë më e ngrohtë, veçanërisht në pjesën e parë e cila do të jetë dukshëm më e ngrohtë se mesatarja. Në gjysmën e dytë të vjeshtës nuk përjashtohet që të ketë mot të paqëndrueshëm dhe reshje intensive të shiut.

Gjatë vjeshtës është e mundur të formohen sisteme të organizuara atmosferike dhe frontale me shfaqjen e paqëndrueshmërisë, veçanërisht në zonat jugore bregdetare. Është i mundur formimi i “Medikane” i ashtuquajtur ciklon mesdhetar në rajonet e Jonit dhe Egjeut si rezultat i rritjes së temperaturave të deteve, lagështisë dhe nxehtësisë së akumuluar latente të avullimit.

“Dimri, sipas pasqyrës aktuale, pritet të jetë më i butë për shkak të fenomenit La Nina, me siguri me skemë më të lagësht, por parashikimet për reshjet e borës janë më pak të besueshme për shkak të parametrave specifik sinoptikë. Por, megjithatë vlerësimet janë të tilla se, përkundër kushteve të tilla, kënaqësitë në ski-qendrat dhe malet nuk do të mungojë”, shprehen dy autorët.

Duke iu referuar parametrave meteorologjikë gjatë verës, bëjnë të ditur se në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kroaci u thyen shumë rekorde të verës në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut, ndërsa në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut për shkak të valëve afatgjate të të nxehtit dhe deficitit të reshjeve ishin të dukshme thatësira që shkaktuan zjarre me përmasa të pashembullta.

Faktorë për shfaqjen e verës jashtëzakonisht të nxehtë – 2021 

Në kushtet e valëve të të nxehtit, mungesës së reshjeve, thatësirave dhe zjarreve pyjore, shumëkush pyesin se cilët janë faktorët për këtë nxehtësi dhe thatësirë ekstreme këtë verë, që nuk mbahet mend deri tani në këtë zonë, dhe nëse janë rezultat i ndryshimeve klimatike.

Nuk ka dyshim se ndryshimet klimatike po veprojnë në mënyrë të përshpejtuar, duke rritur frekuencën dhe intensitetin e valëve të të nxehtit. Çdo vit në periudhë të caktuar kohore, klima në zonë të caktuar është e ndryshme.

“Brenda sistemit klimatik janë të mundshme variacione-luhatje klimatike shumëvjeçare. Ndryshueshmëria klimatike nuk është uniforme në hapësirë dhe prandaj mund të përshkruhet si kombinim i disa modeleve hapësinore ose modeve të ndryshueshmërisë klimatike, të cilat ndikojnë në motin dhe klimën në korniza të ndryshme hapësinore dhe kohore. Modi (regjimi) më i njohur periodik i ndryshueshmërisë klimatike është cikli sezonal, shpjegojnë dy autorët në analizën që mund të gjendet në linkun.

Sipas tyre, arsyeja pse kishim verë jashtëzakonisht të nxehtë këtë vit në pjesën më të madhe të Evropës mund të shpjegohet duke analizuar shpërndarjen, ekzistencën e zgjatur dhe ndikimin e masave të ajrit dhe sistemeve të pellgjeve me presion të lartë të ajrit në pjesët juglindore të kontinentit dhe adveksionin e nxehtësisë.

“Gjerësitë subtropikale gjeografike paraqesin zonë të përshtatshme për formimin e masave të ajrit. Dihet se në ato gjerësi gjeografike ka hapësirë të gjerë gjenden të ashtuquajturat Qendrat subtropikale anticiklone me presion të lartë të ajrit. Ata zënë zona shumë të mëdha të gjera dhe kanë formë të zgjatur në mënyrë që të japin përshtypjen se zona me presion të lartë të ajrit shtrihet në të gjithë brezin subtropikal. Këto sisteme janë kaq të përhershme dhe zënë kryesisht zonën midis 30 ° dhe 40 ° gjerësi gjeografike veriore dhe jugore. Gjatë verës, ky brez subtropikal me presion të lartë zhvendoset në veri dhe anticikloni është më i shprehur mbi oqeanin. Për dallim nga anticiklonët e tjerë, anticiklonet subtropikalë janë zhvilluar deri në lartësi të mëdha, kështu që ato shpesh shtrihen në majë të troposferës. Në këto shtresa anticiklonet subtropikale shtrihen rreth tokës si brez i pandërprerë me presion të lartë, boshti i lartësisë së të cilit ka orientim karakteristik në drejtimin ËSË-ENE. Faktor plotësues është se zona e Afrikës së Veriut është jashtëzakonisht e thatë. Gjatë qarkullimit më të lehtë anticiklonik të shoqëruar me vetitë e duhura fizike të shtresës në këtë zonë gjeografike kushtëzon formimin e masës ajrore kontinentale-tropikale. Këto masa ajri janë jashtëzakonisht të thata, të ngrohta, me një gradient shumë të theksuar vertikal të temperaturës dhe stratifikim të qëndrueshëm dhe ushtrojnë bllokim të zonës së qarkullimit zonal dhe sistemeve atmosferike në Evropën Perëndimore. Përveç kësaj këto masa përmbajnë një sasi të madhe të pluhurit të imët, kështu që për shkak të turbullirës së madhe zvogëlohet dukshmëria”, sqarojnë Spiridonovi dhe Slladiqi.

Duke trajtuar plotësisht ndikimin e Diellit si burimi kryesor i dritës dhe nxehtësisë në Tokë, të dy autorët konkludojnë në analizën e tyre se nuk ka gjasa që Dielli të jetë shkaku i trendit të ngrohjes globale. Kjo, thonë ata, konfirmohet nga matjet satelitore të energjisë diellore, e cila në një periudhë prej 40 vjetësh është rritur ose zvogëluar me më pak se 0.1 për qind në krahasim me ngrohjen globale të shkaktuar nga ndikimi i njeriut dhe djegia e karburanteve fosile, e cila që nga viti 1750 është 50 herë më e madhe se nxehtësia që vjen nga Dielli.

Faktori kryesor për ndryshimin e klimës, thonë ata, është faktori njeri dhe emetimet e pakontrolluara të gazrave serrë.

“Kjo konfirmohet edhe në Raportin e gjashtë të vlerësimit të IPCC (AR6), ku në Rezymenë për Politikanët janë potencuar gjetjet kryesore të Grupit të punës I kushtuar bazës fizike të ndryshimeve klimatike. Në të njëjtin është dhënë pasqyrë e situatës aktuale klimatike, ku përfundimisht konfirmohet fakti se ndikimi njerëzor është boshti kryesor lëvizës i ndryshimeve klimatike. Sipas raportit të njëjtë, vlerësohet se ndikimi njerëzor dhe emetimet e pakontrolluara të gazrave serrë po ngrohin klimën dhe po ndryshojnë sistemin klimatik me shpejtësi enorme, si precedent në 2.000 vitet e fundit”, shprehen autorët.

Parashikimet janë se temperaturat globale do të vazhdojnë të rriten, e nëse nuk ndërmerren ulje të konsiderueshme të dioksidit të karbonit dhe gazrave të tjera serrë, kjo do të shpie drejt ngrohjes së vazhdueshme që do të shkaktojë më shumë periudha ekstreme të thata. Pritjet për Evropën veriperëndimore dhe qendrore, siç bëjnë të ditur dy autorët, duke iu referuar raportit, janë rritje të përmbytjeve dhe stuhive të forta, ndërsa për Evropën Perëndimore dhe Qendrore, parashikohet rritje e thatësirave bujqësore, hidrologjike dhe ekologjike. Për zonën e Mesdheut parashikohet deficit i konsiderueshëm i reshjeve, zjarre të shpeshta, rreziku nga thatësirat dhe valë afatgjata të të nxehtit. Evropa Lindore, nga ana tjetër, do të përballet me rrezik në rritje nga përmbytjet dhe zjarret.

Ndryshimet ekstreme rrezikojnë shëndetin e njeriut 

Valët e vazhduara, intensive të të nxehtit rrisin rrezikun për shëndetin e njeriut. Stresi i nxehtësisë prek zonat rurale, por është veçanërisht i theksuar në qytetet, ku formohen të ashtuquajturat liqene me ajër shumë të nxehtë, (ishujt e nxehtësisë) ku temperatura urbane mund të rritet për më shumë se 5 ° C.

Ndryshime të tilla ekstreme që parashikohen, sipas dy autorëve, do të ndikojn në shëndetin e njeriut, veçanërisht të grupeve të rrezikuara të popullatës. Nëse nuk ndërmerren masat e duhura, mundësia e rritjes së gjatësisë dhe intensitetit të valëve të të nxehtit në të ardhmen do të rrisë numrin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe të atyre të frymëmarrjes.

“Valët e të nxehtit në dekadën e fundit kanë shkaktuar dhjetëra mijëra vdekje të parakohshme në Evropë. Gjithashtu ka shumë gjasa të rritet gjatësia, frekuenca dhe intensiteti i valëve të të nxehtit në të ardhmen. Ky tregues mund të çojë në një rritje të konsiderueshme të vdekshmërisë në dekadat e ardhshme, veçanërisht te grupet e rrezikuara, nëse nuk ndërmerren masat përkatëse për përshtatje. Temperaturat e larta gjithashtu rrisin nivelin e ozonit të dëmshëm dhe ndotësve të tjerë të ajrit, duke i përkeqësuar sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes. Nivelet e polenit dhe aero-alergeneve të tjerë janë gjithashtu më të larta gjatë nxehtësisë ekstreme. Këto mund të shkaktojnë astmë, e cila ndikon te rreth 300 milionë njerëz. Pritet që rritja e temperaturës të rrisë numrin e rasteve të tilla”, bëjnë të ditur Spiridonovi dhe Slladiqi në analizën.

Në rrethana të tilla, rekomandojnë se nevojitet gatishmëri më e madhe për infrastrukturën urgjente të shëndetit publik.

“Paralajmërimi i hershëm, sistemet e evakuimit dhe kanalizimet efektive do të zvogëlojnë ndikimin e rasteve ekstreme në shëndetin e njerëzve”, shprehen autorët.