Cila është mosha e duhur për t`i dhënë fëmijës telefon?

Telefonat celularë smart janë bërë thuajse universalë tek fëmijët. Pothuajse 91% e fëmijëve 11 vjeç kanë një të tillë.

Dilema më e madhe e kohëve moderne është: A duhet t’u japësh fëmijëve telefon apo t’i mbash larg pajisjeve sa më gjatë të jetë e mundur?

Me sa duket, edhe personazhet e famshëm nuk janë të imunë ndaj këtij problemi. Madonna ka thënë se është penduar që u ka dhënë fëmijëve të saj telefona në moshën 13-vjeçare dhe nuk do ta bënte më.

Nga ana tjetër, ju ndoshta keni vetë një telefon që e konsideroni një mjet thelbësor për jetën e përditshme – nga emailet dhe blerjet në internet, te video-calls dhe albumet e fotografive familjare.

Dhe nëse shokët e klasës dhe miqtë e fëmijës tuaj po marrin të gjithë telefona, a mund ta lësh fëmijën pa një të tillë?

Ka ende shumë pyetje pa përgjigje mbi efektet afatgjata të telefonave dhe mediave sociale tek fëmijët dhe adoleshentët, por kërkimet ekzistuese ofrojnë disa prova mbi rreziqet dhe përfitimet e tyre kryesore.

Nuk ka asnjë provë gjithëpërfshirëse që tregon se zotërimi i një telefoni ose përdorimi i mediave sociale është i dëmshëm për mirëqenien e fëmijëve në përgjithësi. Shumica e kërkimeve të deritanishme fokusohen tek adoleshentët dhe jo tek grupmoshat më të reja – dhe provat e reja tregojnë se mund të ketë faza specifike zhvillimi ku fëmijët janë më të rrezikuar nga efektet negative.

Të dhënat nga Ofcom, rregullatori i komunikimit në Mbretërinë e Bashkuar, tregojnë se shumica dërrmuese e fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar zotërojnë një smartphone deri në moshën 11 vjeçare. 44% e kanë që në moshën nëntë vjeç. Në SHBA, 37% e prindërve të fëmijëve nga 9 deri në 11 vjeç thonë se fëmija i tyre ka smartfonin e vet. Dhe në një studim evropian në 19 vende, 80% e fëmijëve të moshës 9 deri në 16 vjeç raportuan se përdornin një telefon pothuajse çdo ditë, si për të folur, ashtu edhe për të hyrë në internet.

Shumica e studimeve të bëra deri tani nuk gjejnë asnjë lidhje midis përdorimit të mediave sociale dhe shëndetit mendor tek adoleshentët.

Një rishikim tjetër, nga Amy Orben, një psikologe eksperimentale në Universitetin e Kembrixhit arriti në përfundimin se ishte e pamundur të dihej nëse teknologjia po shkaktonte rënien e mirëqenies ose anasjelltas.

Megjithatë ajo që vlen të theksohet është se vetëm njeriu që është afër fëmijës mund të arrijë ta dallojë nëse fëmijës po i bën dëm telefoni dhe interneti. Kjo duke i parë sjelljen në vijim.

Nga ana tjetër, për disa të rinj, një telefon mund të bëhet një mjet shpëtimi – diku për të gjetur një formë të re aksesi dhe rrjetesh sociale si një person me nevoja specifike, ose një vend për të kërkuar përgjigje për pyetjet urgjente për shkollën apo edhe shëndetin. Një adoleshent mund të gjejë përgjigje për ndryshimet që po i ndodhin në trup dhe për të cilat nuk mund të flasë me askënd.

Një studim danez me fëmijë 11 deri në 15-vjeçarë gjeti disa prova se telefonat në fakt u japin fëmijëve lëvizshmëri të pavarur duke rritur ndjenjën e sigurisë së prindërve. Fëmijët thanë se telefonat e përmirësonin jetën duke dëgjuar muzikë dhe duke mbajtur kontakte me prindërit dhe miqtë.

Sigurisht, aftësia për të qenë në komunikim pothuajse të vazhdueshëm me bashkëmoshatarët nuk vjen pa rrezik.

Duke analizuar të dhënat nga mbi 17,000 pjesëmarrës të moshës midis 10 dhe 21 vjeç, studiuesit zbuluan se përdorimi më i lartë i mediave sociale në moshën 11 deri në 13 vjeç për vajzat dhe 14 deri në 15 vjeç për djemtë, parashikonte kënaqësi më të ulët të jetës një vit më vonë. E kundërta ishte gjithashtu e vërtetë: përdorimi më i ulët i mediave sociale në këtë moshë parashikoi kënaqësi më të lartë të jetës vitin e ardhshëm.

Kjo përputhet me faktin se vajzat priren të kalojnë pubertetin më herët se djemtë, thonë studiuesit, megjithëse nuk ka prova të mjaftueshme për të thënë se ky është shkaku i ndryshimit në kohë.

Le të kthehemi në pyetjen fillestare: Kur mund t`i blesh fëmijës telefon?

Ky është një vendim që u takon vetëm prindërve. Disa mund të zgjedhin ta shtyjnë edhe disa kohë. Të tjerë t`ia blejnë më herët. Gjithsesi, një fëmijë social dhe që përfshihet me grupin, do të përfshihet me ta dhe nuk ka telefon që ta ndalojë. Ky është përfundimi në të cilin studiuesit kanë arritur. Në shkollë fëmijët do të takohen. Atje do të jenë në kontakt ballë për ballë. Kështu që prindërit le të mos ndihen në faj.