CGTN-i fiton medaljen e artë në Çmimet Televizive dhe Kinematografike të Festivaleve të Nju-Jorkut 2022

Fituesit e Çmimeve Televizive dhe Kinematografike të Festivaleve të Nju-Jorkut 2022 u shpallën më 26 prill në Galanë e Rrëfimtarëve të zhvilluar në mënyrë virtuale. Videoklipi i posaçëm për Vitin e Ri i CGTN-it “Një dolli muzikore për 2022-shin” fitoi një medalje të artë në kategorinë e posaçme të arteve të interpretuara. CGTN-i u nderua edhe me dy çmime të argjendta dhe tre bronzi në kategori të tjera.

Pjesë tërheqëse filmike dhe televizive të krijuara nga kineastë e rrëfimtarë nga 42 vende dhe rajone u vlerësuan në internet nga juria e madhe me mbi 200 producentë, regjisorë, shkrimtarë dhe profesionistë të tjerë të mediave krijuese nga e gjithë bota.

Videoklipi i “Një dolli muzikore për 2022-shin” mblodhi muzikantë nga mbarë bota, të cilët dërguan urimet e tyre më të mira duke rikrijuar një pjesë të famshme të një sonate kineze me instrumentet e tyre të veçanta. E njohur si Uvertura Festive, sonata origjinale është kompozuar nga muzikanti i njohur kinez Shi Wanchun.

Muzikantë të rinj nga tetë vende e interpretuan veprën më të njohur të këtij artisti në një mënyrë të re eklektike, për të shprehur gëzimin dhe për të dërguar urimet e festës për njerëzit në mbarë botën.

Muzika nga kontinente të ndryshme u mblodh dhe u redaktua në Pekin. Muzikantët e shtuan mjedisin dhe peizazhin emocionues duke interpretuar në vende të ndryshme, përfshirë në një çati, buzë detit, në një rrugicë të ngushtë dhe në një kampus universitar.