Çfarë tregon vetëdorëzimi i Artan Grubit?
Shkup, 24 shkurt – Dje, më 23 shkurt 2026, ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u vetëdorëzua në pikën kufitare Bllacë, pas një periudhe në arrati pothuajse 14 muaj. Ai u arrestua menjëherë nga autoritetet, pasi ndaj tij ishte aktive masa e paraburgimit dhe kërkohej me fletarrest ndërkombëtar për hetime të lidhura me rastin e Lotarisë Shtetërore. Grubi është përballur me akuza për korrupsion, ndërsa në dhjetor 2024 ishte futur edhe në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për korrupsion dhe ndërhyrje në gjyqësi, shkruan Zhurnal.
Çfarë pas vetëdorëzimit të Grubit?
Vetëdorëzimi i Grubit nuk mund të shihet thjesht si një akt juridik, pasi ka implikime të thella politike. Nuk mund të jetë e rastësishme, e as pa ndonjë prapavijë. Pra, gjithçka mund të jetë vetëm veprim i rastësishëm e i pamenduar nuk mund të jetë.
Partitë politike me mendime të ndara për këtë akt të Grubit –
BDI e përshëndeti si akt guximi, duke e paraqitur Grubin si figurë që përballet me drejtësinë pa frikë. Kjo narrativë synon të ruajë imazhin e partisë si e hapur ndaj ligjit, por edhe si e sigurt në fuqinë e saj politike.
VMRO-DPMNE e interpretoi si aftësi të qeverisjes së tyre që kanë arrestuar Grubin dhe që i njëjti mund të flasë për “korrupsionin” e Zaevit, Filipçes dhe Spasovvskit.
VLEN gjithashtu shpreson që Grubi, nëse flet, mund të ekspozojë prapaskena që do të dëmtonin BDI-në dhe vetë Ali Ahmetin, duke e parë këtë si mundësi për të dobësuar strukturën e opozitës aktuale.
Nga ana tjetër, LSDM akuzon për një marrëveshje të fshehtë mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, duke sugjeruar se vetëdorëzimi është pjesë e një pazari politik që ka filluar shumë më herët mes këtyre dy subjekteve.
Çfarë tregon ky akt?
Vetëdorëzimi në kufi, pas një periudhe arratie, tregon se ky hap nuk është i rastësishëm. Është e vështirë të besohet se Grubi do të paraqitej pa ndonjë garanci të paktën politike ose juridike.
Ky rast do të shërbejë si provë për sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut a do të trajtohet Grubi si çdo qytetar tjetër, apo si figurë e privilegjuar politik? Duhet pranuar që vetëdorëzimi ka hapur një fushë të re interpretimesh dhe akuzash mes partive. Secila po e përdor ngjarjen për të forcuar narrativën e vet politike.
Përfshirja e Grubit në listën e zezë të SHBA-së e bën këtë rast më të ndjeshëm. Çdo lëvizje e autoriteteve vendore do të shihet edhe përmes prizmit të partnerëve ndërkombëtarë.
Nëse Grubi flet dhe ekspozon prapaskena, mund të hapet një krizë e re politike që prek BDI-në dhe liderin e saj historik, Ali Ahmetin. Nëse procesi gjyqësor shkon drejt një marrëveshjeje të heshtur, LSDM do të vazhdojë ta përdorë këtë si argument për pazare të fshehta mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së. Nëse drejtësia vepron pa kompromis, ky rast mund të shënojë një pikë kthese për besueshmërinë e institucioneve në vend.
Prandaj, vetëdorëzimi i Artan Grubit është më shumë se një akt personal është një moment kyç që ekspozon tensionet mes drejtësisë, politikës dhe interesave ndërkombëtare. Mbetet të shihet nëse ky rast do ta vendos drejtësinë në binarë apo do të dëshmojë një skemë të pretenduar për pazare politike. medial.mk/

