Çfarë po tentohet të bëhet me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve?

Shkup, 5 shtator – Ligji për gjuhët është ligj që i shërben gjitha komuniteteve tjera në vend përpos maqedonasve gjuha e të cilëve është gjuhë e parë zyrtare. Prandaj, kur diskutohet ndryshimi i këtij ligji nënkuptohet si sulm ndaj gjitha komuniteteve tjera në vend, pjesë e të cilëve janë edhe shqiptarët si popull shtetformues. Për zbatimin e këtij ligji në praktikë u formuan dy institucione të posaçme, mbase asnjëri prej tyre nuk e kanë bërë punën si duhet por ka pasur përpjekje në këtë drejtim. Megjithatë, një ligj që nuk e dëmtoi askënd dhe nuk shkaktoi asnjë pasojë nuk ka kurrfarë arsyetimi apo preteksti insistimi i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. Ndryshimi i vetëm që duhet të bëhet me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve është respektimi e zbatimi në përpikëri i këtij ligji, shkruan Zhurnal.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese: Ligji i Gjuhëve në seancë në javën e parë të tetorit

Ligji për Gjuhë është në pritje për një vendim përfundimtar, kështu ka deklaruar kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. I pyetur se a do të arrijë Gjykata Kushtetuese të balancojë me mençuri pa i prishur marrëdhëniet politiko-etnike në vend, sidomos pas informimit të kryeministrit për sfida të mundshme të sigurisë këtë vjeshtë?, Kostadinovski tha:

“Është një temë komplekse që përbëhet nga 13 nisma qytetare, parti politike, shoqata të ndryshme. Çështja është trajtuar nga disa gjyqtarë dhe unë jam kryetari i katërt i Gjykatës që do të kem mundësi ta prezantoj rastin në seancë. Për sa i përket rezultatit, do të përmbahem nga një opinion personal edhe pse kam një qëndrim për këtë çështje që kur na është shpërndarë raporti i parë. Argumentet për këtë rast do të mund t’i dëgjojë edhe opinioni sepse në javën e parë të tetorit do të jetë në rendin e ditës së Gjykatës. Por në lidhje me pyetjen tuaj nëse Gjykata do të jetë në gjendje të balancojë me mençuri pa i prishur marrëdhëniet politiko-etnike në vend, si dhe sfidat e mundshme të sigurisë, më lejoni, për ju dhe publikun, të shfrytëzoj rastin për të dhënë pamje dhe sa e lejon hapësira, sqarim. Jemi të vetëdijshëm se Gjykata Kushtetuese mban barrën më të madhe për të vendosur për çdo çështje delikate, por për këtë ekziston Gjykata”, deklaroi Kostandinovski.

Ai tha se këto tema janë te ndjeshme, megjithatë vendimi do të sillet në bazë të argumenteve që përbëjnë rastin.

“Ndjeshmëria e çështjeve të tilla nuk kufizohet me një hark kohor, ndjeshmëria nuk zvogëlohet me kalimin e kohës, ato kanë qenë dhe janë subjekte të ndjeshme para 4 vitesh si dhe sot, dhe nga ky aspekt Gjykata është më e mirë dhe më e mirë dhe pa kalkulime për të vendosur, ekskluzivisht me argumente kushtetuese-juridike, ndaj dhe si kryetar me këtë përvojë, do të avokoj për një vendim sa më të shpejtë për çështjet, pavarësisht shkallës së ndjeshmërisë së tyre. Domethënë, duhet të jemi të sinqertë dhe t’i bëjmë vetes pyetjen nëse jemi një demokraci e qëndrueshme, a është e nevojshme të bëjmë hapin dhe kalimin në një demokraci të pjekur? Qëndrimi im është i qartë. Mendimi im është se është e nevojshme, se është koha për të bërë atë hap drejt një demokracie të pjekur. Realiteti ynë kushtetues për mendimin tim është se ne jetojmë në një demokraci të qëndrueshme, por jo ende të pjekur. Një demokraci e pjekur nënkupton një nivel të lartë të kulturës kushtetuese dhe politike, respekt të fortë për shtetin e së drejtës, institucione të qëndrueshme të pavarura, institucione që i kanë qëndruar provës së kohës dhe mund të përballen me efektivitet me sfida si krizat politike, ekonomike, shëndetësore, norma demokratike të rrënjosura thellë që respektojnë liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Është koha e fundit për të kaluar në një demokraci të pjekur, nga e cila do të përfitojnë të gjithë qytetarët pa përjashtim.”

Trupi Koordinues politik i koalicionit VLEN në një takim pune kanë diskutuar deklaratat e fundit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe balansuesin. Ky takim i tyre dëshmon se përfaqësuesit e shqiptarëve në këtë përbërje të re qeveritare kanë zë dhe flasin atëherë kur duhet dhe ashtu si duhet. Më poshtë është reagimi i tyre i plotë:

“Trupi Koordinues i VLEN-it pa dashur të ndërhyjë në punët e Gjykatës Kushtetuese e vlerëson si të rrezikshme dhe të papranueshme nismën e tyre për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ne vlerësojmë se kjo nismë, e cila buron nga forca të njohura për qëndrimet e tyre kundër NATO-s, nuk është asgjë më shumë se një përpjekje për grusht shteti me eksperimente juridike. Nëse një nismë e tillë pranohet, hapet Kutia e Pandorës për të gjitha arritjet kyçe të shtetit, duke përfshirë edhe ndryshimin e emrit kushtetues, i cili gjithashtu u realizua pa nënshkrimin e presidentit të atëhershëm, Gjorge Ivanov, e që mundësoi anëtarësimin në NATO. Një akt i tillë do të minonte stabilitetin dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërcënuar seriozisht orientimin e saj euro-atlantik”, theksohet në njoftimin e koalicionit Vlen pas mbledhjes së Trupit Koordinues.

Ndryshimi i vetëm që duhet të bëhet është largimi i 20% nga Kushtetuta –

Ligji për gjuhët nuk duhet të preket ndryshimi i vetëm dhe shumë i nevojshëm është largimi i 20% nga Kushtetuta. Ky përkufizim ofendues rëndon harmoninë ndëretnike në vend, nuk definohet populli me përqindje aq më pak populli që shqiptarë që edhe në regjistrimin e fundit të popullsisë proces me mjaftë dilema për korrektësinë rezultuan 29%. Pra, nuk dihet kë përshkruan ai definim prej 20%.

Gjuha shqipe është gjuhë e ëmbël, prandaj nuk duhet të krijojë ashpërsim ndaj askujt me askënd, por bashkim e dakordim që edhe populli shtetformues, shqiptarët, të mos të ndjehen të përjashtuar duke u identifikuar me përqindje. Dhe, kjo po dëshmon qartazi se gjuha shqipe nuk është dhe nuk paraqet kurrfarë rreziku për vendin, por janë pikërisht ata persona që e shohin të rrezikshme gjuhën shqipe shpërfaqin ndjenjat e tyre diskriminuese e shtypëse, nuk përballojnë dot barazinë dhe trajtimin e drejtë.

Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk duhet të ndryshohet por vetëm të zbatohet –

Ligji për përdorimin e gjuhëve shpërfillet edhe nga komunat në të cilat jetojnë mbi 20%, e kjo gjë duhet të marrë fund sepse është e rregulluar me ligj dhe duhet të zbatohet njëherë e përgjithmonë e kundër mos zbatimit ka ndëshkime të parapara. Pra, në ligjin për përdorimin e gjuhëve është e përcaktuar kjo çështje me precizitet, edhe pse në realitet konsiderohet si përmbajtje diskriminuese për shqiptarët duke u identifikuar gjuha shqipe vetëm me përqindje.

Në nenin 1 të këtij ligji thuhet: Në tërë territorin në Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. (2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.

Por, ky ligj është i panevojshëm përdisa kryetar komunash bie fjala edhe për kryetarin e Komunës së Gazi Babës, pasi po i njëjti këtë ligj nuk e përfill, e shkel me dy këmbë dhe për këtë nuk ka asnjë reagim as nga institucionet që janë përgjegjëse dhe kanë mekanizmat ndëshkuese.

Tani, zbatimi i këtij ligji kërkon edhe ndihmën e qytetarëve të cilët kudo që janë në nivele lokal apo në banka lokale e qendrore të denoncojnë shkeljet e mundshme që pastaj radha t’i kalojë Inspektoratit të zbatimit të gjuhëve ta bëjnë punën e tyre si duhet. /Zhurnal.mk