Çfarë po kurdisë Arsovska? Pse nuk e nënshkruan projektin për stacionin për ujëra të zeza !?

Shkup, 23 shkurt – E gjithë procedura për ndërtimin e stacionit pastrues për ujërat e zeza në Shkup ka përfunduar, por për çudi, kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska refuzon ta nënshkruajë kontratën. Me këtë, ky projekt kapital për Shkupin, i finansuar nga para evropiane po qëndron në vend. Projekti për ndërtimin e këtij stacioni filtrues kushton plot 137 milion euro, të cilat janë siguruar përmes kredisë nga banka evropiane investuese. As Arsovska e as u.d drejtori i “Ujësjellës Kanalizime”, Dragan Ilievski, nën kompetenca të të cilit është projekti, nuk tregojnë pse tenderi nuk nënshkruhet dhe e pengojnë këtë projekt shumë të rëndësishëm për vendin. Ata vazhdimisht injorojnë gazetarët dhe pyetjet rreth kësaj teme, transmeton Zhurnal.

Burime të cilët janë të njoftuar me projektin, thonë se askush nuk e ka të qartë pse nuk nënshkruhet kjo marrëveshje, kur për gjithë projektin i cili zgjati 3 vjet dhe u zbatua sipas rregullave të BEI, nuk ka pasur asnjë vërejtje. Thonë se tenderi për përzgjedhjen e mbikqyrësve dhe tenderi për përzgjedhjen e firmës e cila do ta ndërtojë stacionin k apërfunduar. Gjatë kësaj periudhe nuk ka patur asnjë vërejtje, por marrëveshjet nga drejtori Ilievski nuk nënshkruhen. Ilievski dhe Arsovska as nuk përgjigjen as ndaj bankës evropiane pse po pengohet tenderi.

Për këtë projekt nga banka evropiane për zhvillim është fituar grant prej 70 milion eurove. Ekziston rrezik se sjellja e tillë e Arsovskës dhe drejtorit Ilievski mund ta sjellë në pikëpyetje dhe në rrezik grantin që është ndarë.

Madje edhe ish ministri për ambient jetësor Naser Nuredini i pati bërë thirrje Arsovskës që të mos e pengojë këtë projekt dhe ta nënshkruajë marrëveshjen, sepse madje edhe anëtarësimi në BE varet nga ky projekt. Në klasterin negociues për ambient jetësor, mes çështjeve kyçe është edhe pjesa nëse kryeqyteti ka stacion pastrues për ujëra të zeza.

Arsovska edhe në këshillin e Shkupit refuzon të përgjigjet rreth kësaj teme, ndërsa penale do të paguhen edhe për mos realizimin e projektit BRT (Bus Rapid Transport) që e kishte dakorduar Petre Shilegov.

Arsovska vazhdimisht ikë nga gazetarët. Edhe në ato pak konferenca për media që i mban, thotë se do të dakordohemi për intervistë dhe më pas zhduket. Njejt vepron edhe drejtori Ilievski. As ai nuk përgjigjet as në telefon e as në emaile lidhur me këtë projekt.

Përndryshe, ky projekt ishte shkak për prishjen e marrdhënieve të shkëlqyera mes ARsovskës dhe VMRO-DPMNE-së. Arsovska pati deklaruar se ka zënë Mickoskin dhe Zllatko Perinskin me duart në mjaltë, respektivisht duke vjedhur nga ky tender.

Procedura për stacionin pastrues për ujëra të zeza pati filluar në vitin 2019 kur kryetar i Shkupit ishte Petre Shilegov ndërsa drejtor i Ujësjellës dhe Kanalizime Dushko Veskovski. Tenderi ishte shpallur në qershor 2020 ndërsa atëherë ishte thënë se në vitin 2025 Shkupi do të bëhet përfundimisht me stacion pastrues, me çka përgjithmonë do të zgjidhet problemi me ujërat e zeza e prej të cilave më së shumti pëson lumi Vardar.

Stacioni është paraparë të ndërtohet në komunën e GaziBabës, në anën e majtë të lumit në zonën e Trubarevës, me kapacitet për 500,000 banorë./Zhurnal.mk