Çfarë përmban rezoluta për RMV-në e miratuar në Bundestagun gjerman?

Shkup, 19 qershor – Rezoluta e miratuar në Bundestagun gjerman javën që lamë pas ka të bëjë me mbështetjen aktive të Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Rrugëtim shumë i gjatë dhe me shumë pengesa, por me rëndësi të veçantë përpjekjet janë të pandalshme deri në aderimin e plotë. Madje, sipas ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në këtë rezolutë identiteti maqedonas është i garantuar, prandaj nuk ka hapësirë për shqetësim të qytetarëve maqedonas. Por, nga ana tjetër kryetari partisë më të madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, deklaroi se Osmani nuk është kredibil për të negociuar për identitetin maqedonas. Mbi të gjitha, është e rëndësishme të potencohet fakti që Gjermani njëri ndër shtetet më të fuqishme në BE ka shprehur interesim të vazhdueshëm që ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut përgjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit në BE. Ndryshe, tani RMV ndodhet përballë një sfide të madhe që duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese përmes të cilave edhe hapet rruga për të filluar negociatat me BE-në, shkruan Zhurnal.

Bundestagu gjerman ka miratuar rezolutë për ta ndihmuar RMV në rrugën drejt BE-së –

Në Bundestagun gjerman javën që lamë pas është diskutuar për disa dokumente në fokus të së cilës janë integrimet evropiane dhe situata në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë rezolutën të titulluar “Aktivisht mbështetni Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian” të propozuar nga anëtarët e koalicionit qeverisës nga radhët e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), të Gjelbrit dhe Partisë Liberaldemokrate të Lirë (FDP).

Me dokumentet, deputetët gjermanë i kërkojnë Qeverisë federale në nivel të BE-së që të arrihet pajtueshmëri ku parashikimet për inkuadrim të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë në Union janë “padyshim të besueshme dhe të mbështetura në përparim të dukshëm”

Rezoluta e Bundestagut gjerman për mbështetje të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE është vetëm një konfirmim simbolik i asaj që është formalisht në kornizën negociuese, sepse identiteti maqedonas është i garantuar edhe pa të dhe kur të bëhemi anëtare vetëm se do të promovohet edhe më shumë, ka deklaruar nga Struga, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve mbi domethënien e titulluar si “Mbështetja aktive e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian” për të cilën do të debatohet dhe miratohet sot nga Bundestagu dhe ajo si do të “mbrohet identiteti maqedonas”, Osmani në konferencën për media të “Forumit të Prespës për dialog” theksoi se Gjermania është mbështetësja më konsekuente e vendit.

“Fillimisht, dua të falënderoj partitë politike që iniciuan këtë rezolutë në Parlamentin gjerman. Shpresoj se do të mbështetet nga të gjitha partitë politike në Bundestag e cila do të japë mesazh serioz rreth mbështetjes. Këto rezoluta për mbështetje janë vetëm një konfirmim simbolik i asaj që është formalisht në kuadër të negociatave. Edhe pa to, identiteti në BE është i garantuar dhe si që bëhemi anëtare, vetëm se promovohet gjithnjë e më shumë”, tha Osmani.

Lidhur me dilemat që siç tha ai ka në opinion, sqaroi se disa vende iniciojnë nisma të tilla për t’u thënë qytetarëve: “është e vërtetë, në kornizën negociuese atributet e identitetit janë të garantuara”.

“Gjuha bëhet gjuhë zyrtare e BE-së dhe kjo është dëshmuar me nënshkrimin e Fronteksit. Në një shoqëri ku kuptohemi njëri me tjetrin, pas nënshkrimit të Fronteksit, nuk ka provë më të madhe. Por këtu opozita e keqpërdor temën, i frikëson qytetarët dhe refuzoi ta mbështesë Fronteksin”, tha ministri Osmani. Ai gjithashtu theksoi se Marrëveshja me Fronteksin, e cila siç shton, është marrëveshja më e rëndësishme për përdorimin zyrtar të gjuhës maqedonase në BE, opozita refuzoi ta mbështesë.

Mickovski: Osmani nuk ka kredibilitet për të negociuar për identitetin maqedonas –

E ndaj deklaratave të Osmanit nuk ka qëndruar i heshtur kryetari i opozitares maqedonase, Hristijan Mickovski, i cili deklaroi se Osmani nuk ka kredibilitet për të negociuar për identitetin maqedonas.

“Që ta komentoj Bujar Osmanin duhet që ai të ketë kredibilitet. Bujar Osmani nuk ka kredibilitet të negociojë për identitetin tim maqedonas dhe të më thotë se çka mendon dhe si mendon Bullgaria. Për shkak se shumë shpesh në të kaluarën me veprimet e tij se si ministër i Jashtëm i Maqedonisë ku bashkësi shumicë është populli maqedonas në vend se të tregojë respekt bazë, ai këtë e ka huqur dhe jo vetëm që nuk e ka dëshmuar por e ka shkelur”, ka thënë Mickovski.

Mickoski i tha Osmanit që të këshillojë ministrin e ri të jashtëm bullgar të marrë shembull nga kolegu i tij dhe të vijë te monumenti i 12 të pushkatuarve nga Vatasha në vitin 1943 dhe të kërkojë falje për atë se çfarë ka bërë pushtuesi fashist bullgar në Luftën e Dytë Botërore.  Atëherë mund të ulemi dhe të mendojmë për çfarëdo falje, tha ai duke sqaruar se një ministër gjerman e kishte bërë një gjë të tillë duke kërkuar falje për atë që po bënin fashistët gjermanë në Poloni.

Kujtojmë që, Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, është pozicionuar në drejtim të anëtarësimit në BE si veprim strategjik i domosdoshëm për zhvillim të shtetit.  Pra, rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian ka filluar menjëherë pas pavarësimit, ndërsa zyrtarisht më 17 dhjetor të vitit 2005 Këshilli Evropës vendosi që Republikës së Maqedonisë, atëherë, ndërsa sot RMV-së, statusit shtet kandidat për anëtarësim në BE. Më 17 dhjetor të po këtij viti, 2023, RMV mbush plot 18 vite po me të njëjtin status vetëm shtet kandidat, pa marrë datën për fillim të negociatave.

Megjithatë, Maqedonia e Veriut ka hapur diskutimin për marrjen e një date për fillim të negociatave me BE-në në qershor të vitit të kaluar, pas arritjes të një marrëveshjeje përfundimtare me Bullgarinë, i njohur si propozimi francez. Por, për të hapur negociatat përfundimisht Maqedonia e veriut është e kushtëzuar për të bërë ndryshime kushtetuese dhe për të futur bullgarët si pjesë integrale në Kushtetutën e vendit. /Zhurnal.mk