Çfarë marrëveshje u arrit mbrëmë për pagën minimale? Ja detajet
Shkup, 8 shkurt – Pas bisedimeve disaditore dje ishte arritur marrëveshja që paga minimale të rritet prej 15.200 sa ishte deri më tani në 18.000 denarë. Rritja do të fillojë nga paga e marsit që nënkupton se tashmë në prill rreth 80.000 punëtorë në vend do të marrin pagë minimale prej 300 eurove.
Me këtë është përmbushur kërkesa e sindikatave të cilët insistuan që paga minimale menjëherë të rritej në 18.000 denarë duke treguar se kjo është nevojë ekzistenciale e punëtorëve në kushte kur janë rritur shpenzimet e jetës.
Rritja e pagës minimale do të ndihmohet nga ana e shtetit i cili do ta subvencionojë pjesën e kontributeve për çka nga Buxheti do të ndahen 16 milionë euro deri në fund të vitit.
“Tetëdhjetë mijë punëtorë tanë, bashkëqytetarë tanë nga industri të ndryshme duke filluar nga paga e muajit mars do të marrin të paktën 18.000 denarë. Kjo shumë nënkupton rritjen neto të pagës së këtyre punëtorëve për rreth 45 euro në muaj. Rritja e pagës minimale në 18.000 denarë, që punëtorëve do të fillojë t’u paguhet në fillim të prillit, është masë që përfshinë të punësuarit në ndërmarrjet mikro dhe të vogla, tregtinë, industrinë përpunuese dhe industri tjera me rëndësi në vend”, ka thënë Kovaçevski pas mbledhjes së Këshillit ekonomiko- social.
Po ndryshojnë edhe kriteret për harmonizim të pagës minimale, gjegjësisht ajo do të formohet si 50 për qind nga rritja e pagës minimale dhe 50 për qind nga përqindja e indeksit për jetë, me kushte plotësuese, pjesëmarrja e pagës minimale në pagën mesatare detyrimisht të jetë mbi 57 për qind.
“Fituam pagë minimale që arrin 62 për qind të pagës mesatare. Fituam një metodologji të re ku themi 50 për qind të rritjes së pagës mesatare dhe 50 për qind të shpenzimeve për jetë, ndërsa në metodologji kemi hequr pjesën për BPV-në që në të kaluarën na krijonte efekte të mëdha negative, duke ditur se vitin e kaluara ishte minus 0.7 për qind dhe nuk arritëm ta harmonizojmë pagën minimale në nivel dinjitoz për punëtorët”, ka thënë kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Darko Dimovski.
Nga sindikatat shpresojnë se rritja e pagës minimale pozitivisht do të reflektojë edhe në rritjen e pagave të tjera në shtet, gjegjësisht se do të respektohet neni 8 i Ligjit për pagë minimale.
Punëdhënësit shpresojmë se me rritjen e pagës minimale, punëtorët do ta dëshmojnë produktivitetin e tyre.
“Ky është vendim i ri për ne, me metodologji të re dhe qasje të re. Për këtë shkak do të duhet ta konsultojmë anëtarësinë tonë dhe të dalim me qëndrim lidhur me pasojat mbi punën. Siç ka premtuar edhe Sindikata, pres t’i qëndrojnë deri në fund fjalës që punëtorët të kënaqur nga paga minimale do të kontribuojnë në rritjen e produktivitetit”, ka thënë kryetarja e Organizatës së punëdhënësve, Vlladanka Trajkoska.
Me vlerësim pozitiv për rritje të pagës minimale u prononcua edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi i cili ishte përfshirë në bisedimet me sindikatat dhe punëdhënësit. Sipas tij, kjo është zgjidhje solidare me të cilën iu dilet në ndihmë edhe qytetarëve edhe biznesit.
“Dialogu jep fryte. Nga muaji mars, rreth 80.000 nga unë, bashkëqytetarët tuaj do të marrin pagë minimale prej 18.000 denarë. 13 për qind e të punësuarve në vendin tonë marrin pagën minimale, me këtë rritje i ndihmojmë të dalin nga kufiri i varfërisë. Standardi evropian për personat që marrin pagë minimale është 3 për qind e numrit të përgjithshëm të të punësuarve dhe ne duhet t’i afrohemi atij standardi dhe të punojmë”, ka shkruar Bytyqi në Fejsbuk.
Para mbledhjes së djeshme javën e kaluar janë mbajtur dy seanca të Këshillit Ekonomik Social, të cilat kanë qenë pa marrëveshje për shkak të qëndrimeve të ndryshme të sindikatave dhe punëdhënësve. Të premten Konfederata e Biznesit ka propozuar që rritja e pagës minimale të subvencionohet nga shteti. Një propozim i tillë është shqyrtuar në Këshillin e djeshëm Ekonomik të Qeverisë.