Çështja e jurisprudencës, VLEN: Po punojmë për zgjidhje, ndërsa BDI derdh “lot krokodili” për problemet e lëna pas dore

Shkup, 5 mars, medial.mk/ – VLEN akuzon se BDI po përpiqet të shfrytëzojë politikisht një çështje që, sipas tyre, vetë e ka lënë të pazgjidhur gjatë kohës sa ishte në pushtet. Nga kjo parti theksojnë se, gjatë pothuajse dy viteve në opozitë, BDI ka përdorur edhe shqetësimet e studentëve për interesa politike, ndonëse nuk ka arritur t’i adresojë ato kur kishte përgjegjësi qeverisëse.

“Për këto gati dy vite në opozitë, BDI nuk ka lënë gjë pa keqpërdorur, vetëm e vetëm për të shpëtuar lëkurën e vet politike, madje edhe shqetësimet e studentëve. Sot, pa asnjë kredibilitet moral, përpiqet të instrumentalizojë edhe një çështje që vetë e ka lënë peng.

E njëjta parti, me disa ministra të Drejtësisë, sot derdh lot krokodili për një problem që nuk e zgjidhi kur e kishte gjithë pushtetin në dorë. Njëkohësisht, është për t’u habitur se si, gjatë 20 viteve pushtet të BDI-së, kur arsimi u nëpërkëmb dhe shumë padrejtësi mbetën pa zgjidhje, nuk u pa as edhe një protestë. Sidoqoftë, na vjen mirë që sot, me VLEN-in në qeveri, studentët dhe shoqëria në përgjithësi flasin më lirshëm dhe i artikulojnë hapur kërkesat e tyre. Kjo është dëshmi e një klime tjetër politike”, thonë nga VLEN.

Sipas tyre, të diplomuarit në juridik, të cilët synojnë ta japin provimin e jurisprudencës, kanë zhvilluar takime, vërejtjet e tyre janë dëgjuar dhe tashmë po punohet seriozisht për një zgjidhje sistemore.

VLEN njofton se është formuar një grup pune me ekspertë, i cili po shqyrton aspektet juridike dhe institucionale për të arritur një zgjidhje të drejtë dhe afatgjate për këtë çështje. Sipas tyre, problemet e trashëguara nuk zgjidhen me deklarata politike, por përmes angazhimit konkret dhe vendimeve të përgjegjshme.

Në fund, nga kjo parti theksojnë se, ndryshe nga BDI, e cila sipas tyre manipulon me problemet, VLEN është e përkushtuar për t’i zgjidhur ato, duke përmendur edhe raste të tjera që pretendojnë se janë adresuar gjatë qeverisjes së tyre.

“Padrejtësitë që i lanë zvarrë për vite nuk zgjidhen duke derdhur lot krokodili, por me punë, përgjegjësi dhe vendime konkrete.

Ky është dallimi mes nesh dhe tyre. BDI manipulon me problemet që vetë i ka krijuar, ndërsa VLEN punon për t’i zgjidhur ato. Ashtu siç zgjidhëm edhe çështje të tjera që ata i lanë peng, sikurse problemin e medresantëve, edhe këtë çështje do ta zgjidhim”, thonë nga VLEN.

Leave a Reply