Çerdhja e re është gati në Përshefcë, pret lejen e institucioneve qendrore

Tearcë, 5 prill medial.mk/ – Objekti i çerdhes është gati, por dyert vazhdojnë të mbeten të mbyllura. Çerdhja e re në fshatin Përshefcë, në komunën e Tearcës, edhe pse e përfunduar prej kohësh, ende nuk është vënë në funksion për shkak të mungesës së lejeve nga institucionet qendrore. Ndërkohë që prindërit presin hapjen e saj, objekti vazhdon të mbetet mollë sherri mes institucioneve.

Kreu i komunës, Daut Memishi, thotë se komuna ka dërguar kërkesë për funksionalizimin e çerdhes si në Ministrinë e Financave, ashtu edhe në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Sipas tij, çerdhja është dashur të hapet që para katër vitesh.

“Kjo punë është dashur të marrë jetë para katër vitesh dhe tani është çështje muajsh. Kjo është hera e tretë që bëjmë kërkesë në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, e cila më pas e dërgon kërkesën në Ministrinë e Financave. Kemi pasur disa vërejtje nga e kaluara dhe është dashur kohë që t’i përmirësojmë,” – deklaroi kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi.

Memishi shprehet se pret që kjo të jetë kërkesa e fundit dhe që institucionet përkatëse të japin më në fund dritën jeshile për hapjen e objektit.

“Besoj fuqishëm që këtë radhë nuk do të ketë përgjigje negative. Pasi të gjitha vërejtjet që kemi marrë nga ana tjetër, sa herë që Ministria e Financave e ka kthyer negativisht kërkesën, ne kemi punuar dhe i kemi përmirësuar në terren. Besoj që në ditët në vijim do të kemi një përgjigje pozitive nga Ministria e Financave dhe menjëherë do të fillojmë me procedurat e rregullta: do të shpallet konkursi dhe më pas do të nisë funksionalizimi,” – tha Memishi.

Çerdhja pritet të ofrojë kushte më të mira për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve në moshë të hershme, si dhe të lehtësojë përditshmërinë e shumë familjeve në këtë komunë. Megjithatë, deri në marrjen e miratimeve përfundimtare nga institucionet përgjegjëse, objekti i ri vazhdon të mbetet i mbyllur dhe jashtë funksionit.

Leave a Reply